E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një telefonatë fatale kapi “kokën” e 5 milionë eurove

Shërbimet speciale serbe e kanë arrestuar Karaxhiçin falë një telefonate. 

Sipas gazetës “Blitz”, një individ që ka refuzuar të identifikohet, ka marrë në telefon shërbimet sekrete serbe për të tërhequr vëmendjen e tyre mbi një njeri me mjekër të bardhë dhe flokë gri, që praktikonte mjekësi alternative. “Duhet ta kontrolloni, zëri i tij është shumë i ngjashëm me atë të Karaxhiçit”, kishte thënë anonimi. Shërbimet speciale serbe bënë kërkimet e tyre dhe pas gjashtë javësh u siguruan se ai ishte Karaxhiç dhe e arrestuan atë, më 21 korrik në Beograd pas 13 vitesh kërkimi në të gjithë botën. Por gazeta britanike “The Times”, e cila ka intervistuar prokurorin e çështjes, thotë se ka qenë një telefonatë e shkujdesur e vetë Karaxhiç bërë nga telefoni i tij një të afërmi, që i ka kushtuar lirinë. “The Times” ka zbuluar çastet e fundit të lirisë së Karaxhiç. Ai kishte dalë nga supermarketi ku shkonte gjithnjë, ishte kthyer për t’u përshëndetur me shitësit dhe kishte marrë autobusin nr 73. Mbante një çantë lap-topi, veshje, përfshirë edhe një kostum banjoje dhe 600 euro. Plani i tij për të lënë Beogradin i kishte detyruar shërbimet serbe ta arrestonin në atë moment. Por telefonata e bërë rreth një muaj më parë ishte gabimi i tij fatal. Për vite me radhë, shërbimet sekrete serbe dhe ndërkombëtare kishin përgjuar telefonatat e miqve dhe të afërmve të Karaxhiç dhe këtë ai e dinte. Çmimi për kokën e tij kishte shkuar 5 milionë euro. “Ai kishte arritur momentin e mbivlerësimit. Besonte se nuk do të arrestohej më, fliste nëpër konferenca dhe nisi të përdorë telefonin”, tha prokurori Bruno Vekariç.
Pengesa
Svetozar Vujaciç, avokati që përfaqëson Radovan Karaxhiç, njihet si një mik i ngushtë i familjes Karaxhiç, shoku i tij më i mirë është Luka Karaxhiç, vëllai i Radovanit. Ai konfirmon se e ka dërguar kërkesën  Apelit dhe në një intervistë për “Al Jazeera”, marrë në shtëpinë e tij tha: “Nuk tregoj se në çfarë pike e postova letrën, pasi autoritetet do ta gjenin dhe do ndalonin atë. Dua të fitoj sa më shumë kohë për klientin tim. Do të duhen deri në dy ditë, derisa letra të mbërrijë në Gjykatë”. Një nga klientët e mëparshëm të këtij avokati ishte ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç.
Më shumë arrestime
Ndërkohë, Kryeministri serb ka deklaruar se arrestimi i Karaxhiçit ka treguar vullnetin e qeverisë serbe për të bashkëpunuar dhe për t’iu përgjigjur detyrimeve ndërkombëtare, dhe do të pasohet me arrestime të tjera. “Arrestimi i Karaxhiç është një mënyrë për të treguar se ne kemi dëshirë të bashkëpunojmë me Gjykatën e Hagës dhe besojmë se ky bashkëpunim do të jetë themelor për vendin tonë”, tha Kryeministri Mirko Cvetkoviç duke shtuar se, “Karaxhiç ishte numri një, dhe nëse numri një vlerësohet si tregues për dëshirën tonë për të bashkëpunuar, nuk ka asnjë arsye për të menduar se nuk do të ketë numër dy, apo shtatë”. Cvetkoviç tha se Serbia nuk po pret ndonjë çmim për këtë arrestim, por shpreson në përmirësimin e kushteve tregtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›