E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas “Karaxhiç” Tadiç kalon Berluskonin

Boris Tadiç tashmë kryeson listën e këshillit konsultues të “Oxford Analytica” për lidership të dalluar politik. 

Sipas analistëve të Oxfordit, të cilët përfshijnë 1 000 profesorë dhe ekspertë nga universiteti “Oxford” dhe institucione të tjera rreth botës, arrestimi i liderit serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiç ishte një fitore e madhe e Tadiç dhe partisë së tij demokratike. Klientë të listës së Oxford e krijuar që në vitin 1975 përfshijnë institucione amerikane dhe qeveri nga e gjithë bota. Në një sondazh për drejtuesit e shteteve, që kanë tërhequr vëmendjen për politikën e tyre, kryeministri italian Silvio Berluskoni përfundoi i dyti, pasi arriti të miratojë ligjin e shumëpërfolur të imunitetit të zyrtarëve të lartë të shtetit, që sigurisht përfshinte edhe atë vetë. E treta në listë u rendit qeveria indiane, pasi i mbijetoi një votëbesimi në Parlament. Sondazhi për Tadiç, i cili vlerëson lëvizjet politike, shton se përveç çështjes së Kosovës, arrestimi i të kërkuarve të tjerë të Hagës mbeten pengesat e fundit drejt anëtarësimit të Serbisë në BE. Siç thekson “Oxford Analytica” shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Havier Solana, ka shprehur besimin e tij se Serbisë do t’i kërkohet të jetë plotësisht bashkëpunuese me Hagën pas arrestimit të Karaxhiçit, edhe me të shumëkërkuarit e tjerë, ku kryeson emri i Ratko Mlladiç, gjenerali i forcave serbe që njihet si një nga orkestruesit më të rrezikshëm të masakrave të bëra gjatë luftës në ish-Jugosllavi, i kërkuar edhe ai prej 13 vitesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›