Një vendim dy herë historik
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e marrëveshjes Shqipëri-Greqi për delimitimin e shelfi t kontinental, është historik së paku për dy arsye. Për herë të parë që nga krijimi i shtetit shqiptar (nëse do t’i besojmë fjalëve të kryetarit të kësaj gjykate, Vladimir Kristo), një marrëveshje ndërkombëtare rrëzohet nga një gjykatë shqiptare. Gjatë historisë së pluralizmit, paktet dypalëshe të Shqipërisë me shtete të tjera kanë pasur “a priori”, një lloj imuniteti juridik dhe një konsensus politik të padiskutueshëm. Jo më kot kanë bërë bujë lajme të tipit, “parlamenti miratoi me 1 votë ‘abstenim’ dërgimin e trupave në Irak”. Deputeti abstenues, Taulant Dedja u bë asokohe personazhi i ditës. Përgjithësisht, çdo akt, marrëveshje, vendim apo projektligj ka kaluar në filtrat e institucioneve pa zhurmë, kritikë apo oponencë. Ndaj, vendimi i Gjykatës Kushtetuese shënoi një precedent pozitiv në historikun e veprimtarisë së institucioneve kryesore të shtetit. Votimi 9 me 0 ishte një dritë në fund të tunelit, të cilën mund ta shohë çdokush që shpreson ende në kultivimin e demokracisë së shëndoshë në vend, ku çdo individ kryen detyrat funksionale që i takojnë e secili institucion bën detyrat ligjore pa cenuar pushtetet e tjera. Një demokraci e shëndoshë, ku një njeri nuk mund të bëhet mbinjeri duke i atribuuar vetes rolin e kryeministrit, prokurorit, avokatit, gjyqtarit, meteorologut apo specialistit të eklipseve. Një demokraci, ku media luan rolin e “watch-dog”-ut, apo vëzhguesit dhe ruajtësit të aplikimit të kësaj demokracie. Dhe këtu, dalim tek arsyeja e dytë pse vendimi i Kushtetueses është historik. Kurrë më parë, zëri i medias nuk është dëgjuar dhe respektuar në këto nivele si në rastin në fjalë. Investigimin 8-mujor të “Gazetës Shqiptare” e shoqëruan episode të ndryshme: etiketime qeveritarësh, dyzime e skepticizëm opozitarësh, përkrahje e ironi kolegësh dhe fatkeqësisht, edhe një farë shpërfilljeje e opinionit publik. Megjithatë, keqardhja shuhet dhe shpresa ndizet, po të numërosh së paku dy duzina specialistësh, historianësh e intelektualësh patriotë, të cilët ndihmuan formësimin e punës investiguese të gazetarit Tedi Blushi. Një punë e gjatë, që nisi ditën kur “Gazeta Shqiptare” gjeti e para tekstin dhe koordinatat shoqëruese të marrëveshjes Shqipëri-Greqi, më 28 prill 2009, dhe u mbyll ditën e martë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e bëri nul këtë marrëveshje. Andaj, është e domosdoshme që krahas mbështetjes së “News 24”, të njihet kontributi i Myslim Pashajt, Besnik Bakiut, Pajtim Bellos, Pëllumb Xhufit, Arben Putos, Armand Vinçanit, Mentor Nazarkos, Sabit Brokajt, Agron Alibalit, Vladimir Bejës, Viola Trebickës e shumë të tjerëve. Afërmendsh, nuk mund të përmenden emrat e secilës prej 52 shoqatave patriotike, të cilat hartuan një deklaratë për t’i kërkuar gjykatës të mos i falte Greqisë 354.4 km2 hapësirë detare. Puna do të mbetej sigurisht e papërfunduar, pa përkushtimin personal të Saimir Tahirit dhe lobimit të tij që Partia Socialiste ta ngrinte këtë kauzë në nivelin e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër, zv/shefi i porsaemëruar i Shtabit, Kristaq Gërveni i kërkoi dje “Gazetës” të kërkonte falje, siç tha ai, “për shpifjet në adresë të tij”. Ne mund ta bëjmë këtë, mund t’i kërkojmë ndjesë, se ndoshta e kemi rënduar duke e bërë atë një nga përgjegjësit kryesorë të hartimit të marrëveshjes. Në fakt, siç rezultoi nga investigimi, Gërvenit i dhanë në dorë hartat greke dhe e detyruan të mbronte një koncesion politik parazgjedhor, thënë ndryshe: një tradhti kombëtare. Ne mund t’i kërkojmë falje kundëradmiralit Gërveni, por pasi kryeministri Berisha të lypë ndjesën e “sharlatanit” Myslim Pashaj dhe të medias që “keqpërdoret nga opozita”. Ne mund t’i kërkojmë falje Gërvenit, por mund t’i kërkojmë edhe dorëheqjen. Të tijën ose të dikujt tjetër. Sepse, shkelja e ligjit, Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare është gabim madhor. Nuk është aksident teknologjik, e as katastrofë natyrore. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi, dhe precedentët janë: pak vite më parë kryetari i Kuvendit, Namik Dokle dha dorëheqjen pikërisht pasi Gjykata Kushtetuese e quajti të paligjshëm vendimin e Parlamentit për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm. Por, pak shpresë ka për dorëheqje. Aty ku s’ka pendesë, nuk ka përgjegjësi, dhe aty ku s’ka përgjegjësi, nuk mund të ketë dorëheqje. Paradoksi është se pikërisht dje, kryeministri e injoroi pa e komentuar vendimin e gjykatës. Në vend të kësaj, ai e quajti opozitën “antishqiptare” dhe i kërkoi Edi Ramës të lypë ndjesë për bojkotin e Kuvendit. Kryeministri i ka qejf metaforat dhe nuk e ka për gjë të shpërndajë certifikata patriotizmi dhe tradhtie. Ato që ai nuk ka qejf, janë mediat dhe të vërtetat që ato thonë. Ndaj, Berisha mund të vazhdojë t’i etiketojë gazetarët si gjithnjë. Një gjë është e sigurt. Ai nuk mund të na quajë më “Gazeta anti-Shqiptare”.