Një vrasje misterioze trondit Korçën
Krimi trondit sërish Korçën me një tjetër vrasje të mistershme. Një 73-vjeçar nga fshati Pojan është gjetur i vrarë mëngjesin e ditës së enjte në pronën e tij. Nexhat Gega, pronar i një magazine materialesh ndërtimi në fshatin Pojan, është vrarë me mjete të forta dhe armë zjarri gjatë natës së të mërkurës.
Ai është gjetur i vdekur në mëngjes nga djali, që ka shkuar në magazinën që ishte njëkohësisht dyqan materialesh ndërtimi. Djali ka shkuar si çdo ditë në punë, por kur ka hapur dyqanin ka gjetur brenda babanë të vdekur dhe të mbuluar në gjak. I moshuari e kalonte natën në magazinë pas mbylljes së punës, për të ruajtur materialet dhe mallrat që kishin për shitje në këtë pikë të vetme të fshatit Pojan. Autorët e krimit dyshohet se kanë hyrë nga një dritare në pjesën e pasme të magazinës, ku sipas policisë, për shkak të lartësisë së ndërtesës mund të kenë përdorur shkallë për t’u ngjitur.
Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën ku ka ndodhur ngjarja, por ndërkohë në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja. Por policia nuk ka gjetur mjetin me të cilin autorët kanë qëlluar në kokë viktimën. Sipas policisë, dyshohet se i moshuari mund të jetë goditur me një levë hekuri, por më pas autorët e kanë larguar atë nga vendi i ngjarjes, për të mos lënë gjurmë. Në vendngjarje janë gjetur vetëm gëzhojat, që janë më shumë se dy, çka tregon se autorët kanë qëlluar disa herë, por vetëm dy plumba e kanë kapur në trup të moshuarin.
Ngjarja mendohet se ka ndodhur në orët e vona të natës dhe sipas policisë dyshohet se autorët kanë hyrë në magazinë për të vjedhur mallrat që ndodheshin aty. Por vjedhja mbetet vetëm një nga versionet, pasi hetuesin nuk përjashtojnë mundësinë e ndonjë skenari tjetër.
Megjithatë, hetimet janë përqendruar në versionin e parë, atë të vjedhjes. Sipas këtij versioni, personat e armatosur kanë hyrë në magazinë për të vjedhur dhe kur janë pikasur nga i moshuari janë përleshur me të dhe e kanë vrarë. Në këtë rast, autorët e krimit duhet të kenë qenë të njohur të viktimës.
Por ajo që i bën hetuesit të lëkundur në këtë version është fakti që në vendin e ngjarjes nuk është konstatuar vjedhje. Edhe pse dyshohet se autorët kanë hyrë për të vjedhur, ata nuk kanë marrë asgjë nga magazina. Anëtarë të grupit të hetimit thanë për “Shqip” se ekziston mundësia që hajdutët nuk kanë qenë të përgatitur të përballeshin me 73-vjeçarin dhe pasi e kanë vrarë atë janë larguar me shpejtësi për të humbur gjurmët.
Nga ana tjetër, policia nuk përjashton mundësinë që autorët të kenë hyrë në magazinë për t’u fshehur, pasi kanë konsumuar një tjetër krim në fshat. Nga dëshmitë e mbledhura në fshat, grupi hetimor ka marrë informacion se gjatë natës janë dëgjuar të shtëna nëpër rrugë.
Për ngjarjen janë shoqëruar të paktën 30 persona nga fshati Pojan, por policia nuk ka mundur të identifikojë dhe zbulojë autorët e krimit.