E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Njerëz, jini vigjilentë”

Autori i Lajmit: Dr.Alfred Paloka
Në një kohë kur në tërë vendin po ndodhin ndërprerje të gjata të energjisë elektrike dhe kur po punohet (po sipas KESH) për të ndërprerë furnizimin e debitorëve, KESH njofton për falje të kamatave për ata që nuk i kanë paguar prej kohësh faturat e energjisë. Megjithëse nga drejtuesit e KESH nuk jepet asnjë informacion për vlerën monetare të këtyre kamatave, po të kihet parasysh fakti që energjia e papaguar ndër vite ka arritur deri mbi gjysmën e energjisë së hedhur në rrjet, kjo vlerë duhet të ketë përmasa të mëdha.
Po të kihet parasysh fakti se kjo “falje” po ndodh në pragun e privatizimit të “sistemit të shpërndarjes”, nuk është e vështirë të kuptohet se kjo falje shkon në dëm të konsumatorëve e Buxhetit të Shtetit dhe në favor të “blerësve” të këtij sistemi.
Nëse KESH dhe METE do të kujdeseshin vërtet për mirëfurnizimin e vendit me energji, nuk do të ndodhnin ndërprerje prej mbi dhjetë orësh të energjisë, duke e justifikuar këtë me remontet e “planifikuara”. Kush ka njohuri për punën e sistemit energjetik, e di se për të bërë remontet, nuk ka nevojë për ndërpreje të tilla, sidomos kur janë bërë investime të jashtëzakonshme në rrjet. E themi këtë se, për shumicën dërrmuese të tyre, furnizimi sigurohet në rrugë të dyta. Kështu që për remontet do të mjaftonin ndërprerje disaminutëshe vetëm për manovrime.
Mungesa e transparencës në veprimtarinë e KESH, si për punën operative ashtu edhe për investimet dhe së fundi, për procesin e privatizimit të sistemit të shpërndarjes, bën të dyshohet, flet për “hile” të atyre që përgjigjen për këtë sektor. Si mund të mos dyshohet për situatën e krijuar në prag të privatizimit të shpërndarjes, kur nga njëra anë deklarohet nga kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, se ”privatizimi i sistemit të shpërndarjes, nuk do të sjellë rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kur në të vërtetë do të ndodhë e kundërta. Kjo sepse ndërmarrja e re private e sistemit të shpërndarjes, do të shohë edhe interesat ekonomike të saj. Pra ajo do t u përgjigjet rregullave bazë të ekonomisë së tregut?! Kushdo tashmë i njeh rregullat e tregut të lirë, për më tepër vetë ata që i bëjnë këto deklarata. Pra, ata deklarojnë gjëra që as vetë nuk mund t i besojnë. Në këtë gjendje “të turbulluar”, jo pa qëllim, të bëjnë përshtypje deklarimet që kundërshtojnë njëra-tjetrën. Kështu, ndërsa ERE deklaron mosndryshim të çmimit të energjisë, ministri Ruli deklaron në TV KLAN se në Itali, ku vepron një nga konkurrentët për blerjen e sistemit të shpërndarjes, çmimi i energjisë është 10 herë më i lartë se tek ne?!. Pra si mund të pritet mosndryshim çmimi nga një operator i tillë, për të mos thënë se për se duhet t i shitet shpërndarja një operatori me performancë të tillë?
Në këtë situatë na mbetet të themi shprehjen e njohur: “Njerëz, jini vigjilentë”.

Ky lajm është publikuar: 02/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›