E Hënë, 2 Nëntor 2026

Njerëz të Rajmonda Stefës, dhunë fizike ndaj Dritan Priftit, kërcënojnë Leonard Grëmin

11/06/2005  Acarohet situata mes kandidatëve të zonës 72 të Libofshës

Skenat që kanë qenë të njëpasnjëshme, kanë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së enjte, në prezencë edhe të bashkëshortit dhe dy djemve të kandidates së PS. Pas kësaj, policia ka lënë të lirë Alket Baren, dhunuesin e deputetit, ndërsa prokuroria ka bërë të ditur se ndaj tij po hetohet në gjendje të lirë

FIER – Njerëz të afërt të Rajmonda Stefës, kandidates së PS, në zonën elektorale 72, në Fier, dhunojnë fizikisht Dritan Priftin, rivalin e LSI, si dhe psikologjikisht Leonard Grëmin, kandidatin e PD. Skenat që kanë qenë të njëpasnjëshme, kanë ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së enjte, në prezencë edhe të bashkëshortit dhe dy djemve të kandidates së PS. Pas kësaj policia ka lënë të lirë Alket Baren, dhunuesin e deputetit, ndërsa prokuroria ka bërë të ditur se ndaj tij po hetohet në gjendje të lirë.

Sipas dy kandidatëve, kjo ka një qëllim të caktuar, marrjen e pushtetit me dhunë nga ana e socialistëve. Po sipas tyre, ata nuk kanë ndërmend të tërheqin kandidimin dhe e gjithë kjo bëhet për acarimin e procesit normal të zgjedhjeve.

Kandidatët

Ka qenë ora rreth 22.00 e mbrëmjes së enjte, kur në një debat televiziv në televizionin lokal “Apollon“ të qytetit të Fierit katër kandidatët e ZE 72, Libofshë, Dritan Prifti i LSI, Leonard Grëmi i PD, Rajmonda Stefa e PS dhe Rexhep Krasniqi i LZHK, kanë debatuar mes tyre, duke bërë prezent edhe platformat.

Debati ka qenë i ashpër. Dritan Prifti e ka akuzuar Rajmonda Stefën me një kandidate të rëndomtë, e cila nuk gëzon asnjë lloj respekti në zonën e saj elektorale, një grua që di të bëjë vetëm keq, një grua që flet me një zhargon rrugaçesh, më keq se burrat, ndërsa Stefa nga ana e saj e ka akuzuar Priftin në një njeri të papërgjegjshëm, që nuk di se çfarë thotë dhe se ka keqpërdorur fondet e shtetit gjatë katër viteve të mandatit të tij si deputet i zonës së Libofshës.

Incidenti

Në përfudnim të debatit në televizionin lokal, Alket Bare, nipi i Rajmonda Stefës (djali i motrës), sipas Dritan Priftit, ka ushtruar dhunë ndaj kandidatit të LSi, ndërkohë që ky ishte duke dalë nga televizioni lokal. Sipas dëshmive të Priftit, dhunuesi e kishte kërcënuar me marrje jete, e ka fyer dhe më tej e kishte goditur me grusht në fytyrë.

I njëjti presion është bërë edhe ndaj kandidatit të PD, nga i njëjti protagonist.

Ndryshe nga kandidati i LSI,kandidati i PD, Leonard Grëmi, është kërcënuar në fillim të debatit, ndërsa ai ishte duke shkuar në studiot e televizionit lokal.

Sipas Grëmit, një person e kishte kërcënuar me nderin dhe me jetën, nëse do të vazhdonte të kandidonte në zonën 72, të Libofshës. Pasi e ka sharë me fjalë fyese, kërcënuesi ishte larguar me shpejtësi.

Policia

Policia, e cila kishte marrë denoncim nga dy kandidatët e dhunuar, ka shoqëruar për pak çaste dhe më pas ka lënë të lirë, Alket Baren dhe djalin e kandidates së PS, Rajmonda Stefës.

Sipas shefit të komisariatit të Policisë së Fierit, Naun Doko, mësohet se “incidenti ka qenë një kundërvajtje, e cila kurrsesi nuk arriti në dhunë fizike”.

Doko ka shtuar se “deputeti Prifti e ka zmzdhuar çështjen, ajo thjesht ka qenë një tenativë”.

Pas kësaj, kryepolici i Fierit ka saktësuar se dy të shoqëruarit janë lënë sërish të lirë, dhe hetohen në këtë gjendje.

Prokuroria

Burimet nga Prokuroria e Rrethit të Fierit bënë të ditur se në këtë organ akuze kishin mbërritur dy denoncime për të afërmit e Rajmonda Stfës. Të njëjta burime, bënë të ditur se “kanë nisur procedimet penale për këto dy kallëzime dhe se janë në fazën e parë të kopsitjes së dokumentacionit ligjor dhe se personat në fjalë do të pyeten lidhur me ngjarjen”.

Të njëjta burime zyrtare bënë të ditur se prokurori i kësaj çështjeje është Ndriçim Troplini, i cili së shpejti do të pyesë në gjendje të lirë, personat e denoncuar nga dy kandidatët e LSI dhe PD, në zonën elektorale nr.72, në Libofshë të Fierit.

Rajmonda Stefa

“Unë nuk isha, por Priftit nuk ju prek asnjë qime”

Kandidatja e PS ka mohuar që ndaj Dritan Priftit të jetë ushtruar dhunë fizike, ndërsa ka pranuar që ka pasur një incident të nxitur nga provokimi i sedrës mashkullore të të afërmve të saj, megjithëse vetë në këtë moment ajo nuk ndodhej aty.

“Nuk mjaftuan fyerjet dhe sharjet me një fjalor prej rrugaçi, që zoti Prifti lëshoi në emision, por duhet t’i mërmëriste ato edhe jashte studios, duke provokuar sedrat mashkullore të dy djemve të mi, bashkëshortit, vëllait tim dhe nipërve të mi”.

Stefa ka ngulur këmbë se kandidatit të LSI nuk i është prekur asnjë qime floku.

“Në momentin e incidentit fatkeqëisht unë nuk ndodhesha aty, por nga të pranishmit si dhe të forcave të policisë që, çuditërisht unë nuk e shpjegoj dot pse ndodheshin në atë moment aty, mësova se Dritan Priftit nuk i ishte prekur asnjë qime floku”, ka përfunduar Stefa sqarimin e saj për incidentin.

Dritan Prifti

“Akti i fundit i një personi të dëshpëruar e të dështuar”

Kandidati i LSI në zonën elektorale nr.72, Dritan Prifti, depozitoi në orët e para të ditës së djeshme një kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Fier. Sipas këtij kallëzimi, një person i afërm i kandidates socialiste, po në këtë zonë, kishte ushtruar dhunë, ndërkohë që ai, Prifti, sapo kishte dalë nga televizioni lokal, ”Apollon”.

“Dhunuesi më kërcënoi me marrje jete, më fyeu, dhe më tej më ka goditur me grusht në fytyrë. Ai më kërcënoi se do të më marrë jetën, nëse vazhdoj të konkurroj kundër Rajmonda Stefës. Ky person është nipi (djali i motrës) së kandidates së PS, dhe quhet Alket Bare. Bëra një kallëzim penal ndaj Alket Bares, i cili ka qenë i shoqëruar dhe nga bashkëshorti dhe dy djemtë e kandidates së PS”, u shpreh Prifti.

Duke komentuar këtë akt, kandidati i LSI e cilësoi atë si fundin e një njeriu të dëshpëruar.

“Unë mendoj se ky është akti i fundit i një personi të dëshpëruar dhe të dështuar që kërkon të mbajë pushtetit me anë të dhunës”, përfundoi Prifti.

Leonard Grëmi

“Nuk kam ndërmend të tërhiqem nga kandidimi”

Në Prokurorinë e rrethit Fier ka dorëzuar një kallëzim penal edhe kandidati i PD në këtë zonë elektorale. Kandidati i PD, Leonard Grëmi, ka pasur të njëjtin presion nga një person i panjohur.

“Unë kam qenë duke shkaur në debatin televiziv ‘Ballë për ballë’, organizuar nga televizioni ‘Apollon’. Gjatë rrugës, më ndaloi një person i panjohur. U ndalova e u kërcënova me nderin dhe me jetën, nëse do të vazhdoj të kandidoj në këtë zonë”, tregon Grëmi.

Kandidati i PD e ka komentuar këtë si një përpjekje për mbajtjen e pushtetit me dhunë nga ana e PS, ndërsa ka garantuar se nuk do të tërhiqet nga kandidimi.

“Kjo ka një qëllim të caktuar, marrjen e pushtetit me dhunë nga ana e socialistëve. Para dhe pas debatit na u kujtua nga njerëz ‘të fortë’ që dinë të logjikojnë vetëm me anë të forcës se ata nuk harrojnë metodat e tyre të vjetëruara. Por, megjithatë, unë nuk kam ndërmend të tërheq kandidimin dhe e gjithë kjo bëhet për acarimin e procesit normal të zgjedhësve”, përfundoi Grëmi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›