Policia vë në pranga Ferhat çullhajn. U grind me Shefki Grorin për delet në lëndinë
Policia e Tiranës ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të vrasjes së një 71-vjeçari katër ditë më parë në fshatin Gror të kryeqytetit. Burime nga policia thanë se u arrestua 66-vjeçari Ferhat çullhaj, lindur dhe banues në fshatin Gror Komuna Pezë, pasi dyshohet se ka goditur me sëpatë 71-vjeçarin Shefik Grori. I moshuari u gjet i vdekur në banesën e tij në fshatin Gror, ndërsa policia mbërriti menjëherë në vendngjarje, ku gjeti dhe sekuestroi sëpatën me të cilën ishte kryer vrasja. Sipas policisë, i moshuari ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë në fundin e dhjetorit të vitit 2009 për të jetuar në pronat e tij i vetëm në fshatin Gror.
Por atje është grindur me një bashkëfshatar pikërisht me 66-vjeçarin Ferhat çullhaj, i cili dyshohet se e ka goditur me sëpatë duke i shkaktuar vdekjen. Burimet nga grupi hetimor shpjeguan dje se nga puna e kryer ka rezultuar se Grori kishte një kope me dele, që kishin hyrë në lëndinën e fqinjit të tij. Kaq ka mjaftuar dhe 66-vjeçari ka filluar t’i kërkojë llogari të moshuarit, debat i cili ka kaluar në konflikt të ashpër, duke sjellë vdekjen e tij. Ditën kur u gjet viktima, ekspertët e kriminalistikës deklaruan se i kanë gjetur shenjat e një goditjeje të dhunshme në kokë, duke hedhur pistën e një ekzekutimi të mundshëm të të moshuarit.
Ngjarja është konstatuar paraditen e së hënës, kur të afërm të 71-vjeçarit kanë gjetur trupin e pajetë pranë një zone, ku priten dru për t’u përpunuar në qymyr. Grori mësohet se ishte larguar nga banesa e tij në Tiranë, për t’u kujdesur për tokën që kishte në fshat, në datën 25 dhjetor. Burimet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore bënë të ditur që vdekja dyshohet të ketë ndodhur rreth datës 30 dhjetor. Të njëjtat burime shpjeguan se zona ku ishte viktima kishte gurë dhe dyshohet se një pjesë të dëmtimeve mund t’i ketë marrë edhe gjatë rrëzimit. Viktima jetonte bashkë me të shoqen në Tiranë, ndërsa i biri ndodhej në Gjermani. Dëshira për t’u kujdesur për 5 dynymë tokë që kishte trashëguar nga i ati në fshatin Gror, sipas policisë, e ka shtyrë që të merrte vendimin për të jetuar në shtëpizën me dërrasa në fshat.