E Shtunë, 31 Tetor 2026

Njeriu-urban i Evropës dhe… Tirana

11/06/2009  Jean-Marc Caracci

Fotografi francez Jean-Marc Caracci e sheh kryeqytetin shqiptar shumë të ngjashëm me Parisin, apo çdo kryeqytet tjetër evropian. Këto ditë të qëndrimit të tij në Tiranë shprehet se është ndier mirë dhe nuk është joshur të fiksojë anën e errët shqiptare. Për të qasja me qytetet është në raport me njeriun në qytet apo arkitekturën, aspak me jetën sociale apo varfërinë.

Njeriu evropian në qytet shihet në anën e vet më pozitive. I tillë është fokusi i këtij artisti të vendosur në Montpelie, i cili që prej dy vjetësh ka udhëtuar me aparatin e vet në dhjetëra qytete evropiane, si pjesë e një projekti të madh fotografik evropian të quajtur "Homo Urbanus Europeanus". Tanimë 22 qendra të rëndësishme evropiane janë vizituar prej tij, përfshirë dhe Tiranën, të cilën po e fotografon, ndërkohë që numri vazhdimisht rritet.

Por megjithëse që në emërtim projekti ka lidhje me Evropën, për Caracci-n ai nuk përfshin vetëm qendrat e Bashkimit Evropian, pasi shtrihet deri në Stamboll, Baku, Tbilisi etj. “Në të vërtetë, është një mënyrë artistike për të bashkuar Evropën. Unë jam për heqjen e kufijve, për një Evropë të madhe, dhe kjo është një mënyrë për t’u thënë njerëzve të shikojnë ca më tej, sepse mund të gjeni të përbashkëtat edhe në vende të ndryshme”, - shprehet fotografi francez, ndërsa shton se në imazhet e tij nuk fikson ato çka janë karakteristike për një vend, por imazhe që mund të jenë kudo: në Tiranë, Paris apo diku tjetër. “Unë nuk preferoj të bëj fotografi të karakterit social, ku evidentohen probleme, apo fotografi të fokusuara te varfëria etj. Më pëlqen të tregoj anën më energjike të qyteteve dhe në fotografitë e mia është gjithnjë dikush që ecën i qetë, krenar në qytetin e tij, që ndihet mirë dhe që përfaqëson vendin e tij. Nuk më pëlqen të fiksoj njerëz të menduar. Pra, ideja është të tregoj anën pozitive të jetës urbane, pasi zakonisht tregohet një lloj idilizmi për fshatin. Sigurisht, ka fshat, por ka edhe qytet. Janë të dyja”, - nënvizon Jean-Marc Caracci.

Gjithnjë në lëvizje, me dëshirë për të kapur pikërisht këtë ritëm gati globalist, qëllimisht nuk ndalet në gjërat tipike të një vendi të caktuar. Pranon se të gjitha qytetet janë të ndryshme, por kjo nuk i intereson. Vetëm me Tiranën situata është disi tjetër. “Nuk fotografoj gjëra tipike, si Kulla Eifel, që është tepër e njohur. Në Tiranë është ca më ndryshe, sepse askush nuk e njeh. Kam bërë fotografi përballë muzeut, operës, por që nuk janë të njohura në Evropë dhe vështirë të thuash: ‘Shiko se këtu është në Tiranë’. Dua të them se në Tiranë kam gjetur shumë shpejt hapësirat e duhura, që i përshtaten stilit tim”, - përmbledh artisti, i kënaqur nga ajo me të cilën është përballur këtu. Nënvizon se tani ka ardhur koha që puna të bëhet e njohur ndërkombëtarisht. Numëron ekspozitat më të rëndësishme të projektit, fillimisht me praninë në vende si Sofia, (Bullgari) në “Java e Evropës”, ku janë ekspozuar 32 fotografi të formatit të madh 50 x 75 cm nga 9-24 maj. Për të vijuar me festivalin “Transphotographiques” në Lille -France dhe ekspozimin në “Maison Folie de Lambersart”, të 20 fotografive të mëdha (15 maj deri në 14 qershor). Udhëtimi i radhës pasandaj do të jetë Gjermania nga 3 korriku deri më 30 gusht. Estonia dhe prezantimi në “Shtëpia e Evropës” është rezervuar për shtatorin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›