Njësia 10, Topalli: Vëmendja jonë, njerëzit në nevojë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të turit “Gratë për fitoren”, u takuan me qindra të rinj dhe gra të njësisë numër 10 në Tiranë. E shoqëruar nga drejtuesi i kësaj njësie dhe kandidati për deputet, Gerti Bogdani, Topalli tha përpara banorëve të kësaj njësie se fokusi i qeverisë në katër vitet që vijnë do të jenë njerëzit në nevojë. “Fokusi ynë në katër vitet e ardhshme do jenë njerëzit në nevojë. Nëse gjatë katër viteve të kaluara nxorëm nga varfëria 480 mijë shqiptarë, më shumë do bëjmë për të sëmurët, për nënat që rrisin fëmijët të vetme, për kryefamiljaret që kanë bashkëshortët në emigracion”, - tha Topalli duke ftuar gratë të bëhen pjesë e projektit të madh të Shqipërisë që po ndryshon, të japin nga vlerat, dashuria, vendosmëria dhe vizioni i tyre për vijim e këtij projekti. Njëkohësisht, ajo e cilësoi projektin e Edi Ramës pa vizion si dhe tha për kreun socialist se ai nuk do familjen e tij. “Sa herë që dëgjoj kryetarin e Bashkisë së Tiranës të flasë për Shqipërinë, i them vetes: Nëna, prindi më shumë se kushdo tjetër e do familjen. Një njeri që nuk do familjen, natyrisht nuk e do vendin. Një njeri që nuk do familjen, natyrisht nuk mendon për kombin, aq më pak për zhvillimin e këtij vendi, për progresin e këtij vendi”, - tha Topalli. Duke folur më tej për vizionin e qeverisë, Topalli tha se na presin vizione të mëdha dhe se katërvjeçari i ardhshëm do të jetë i mbushur me sfida. “Ky vend, - tha kryetarja e Kuvendit, - ka potenciale të mëdha. Në katërvjeçarin e ardhshëm më shumë do bëjmë për asistencën, më shumë do rrisim buxhetin, më shumë do rrisim rrogat e pensionet, më lart do e ngremë imazhin e Shqipërisë. Katërvjeçari i ardhshëm do jetë katërvjeçari i sfidave të tjera të mëdha. Së bashku do plotësojmë të tjera ambicie, së bashku do arrijmë të tjera maja, së bashku do rrisim më shumë imazhin e Shqipërisë evropiane”, - deklaroi Topalli përpara banorëve të njësisë numër 10 në Tiranë.
Zgjedhjet, vetëm 1 kandidat i pavarur
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijoi dje nga miratimi i listave të kandidatëve për deputetë ku miratoi edhe partitë e fundit. Në mbledhjen e djeshme u miratua kandidati i pavarur i vetëm që do të garojë në këto zgjedhje. Ai do të jetë Abdulla Omuri, përfaqësues nga Shoqata e Njerëzve në Nevojë. Pas debatit të gjatë në KQZ në lidhje me paraqitjen e dokumentacionit të këtij kandidati të pavarur, KQZ-ja miratoi kandidimin e tij me pesë vota pro dhe dy kundër, atë të anëtarëve Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Për shkak të mangësive në dokumentacion, Partia Aleanca Kombëtare u përjashtua nga kandidimi. Po dje u debatua në KQZ për Partinë Agrare Ambientaliste, e cila nuk kishte mbushur kriterin e 30-përqindëshit gra në 3 qarqe. Ndërsa afati i plotësimit të listës ishte ditën e mërkurë pasdite, KQZ-ja nuk ishte informuar nga PAA-ja që drejtohet nga ministri Lufter Xhuveli, duke sjellë mundësinë e përjashtimit të kësaj partie nga gara elektorale. Por në fund u vu re se kjo parti kishte tërhequr dy kandidatë meshkuj nga lista për t’i plotësuar me gra, gjë që bëri që PAA të miratohet për të garuar në zgjedhje. Një keqinformim bëri që PAA të rrezikonte hyrjen në zgjedhje.