Altertekst 2009, MASH favorizim për tekstet me shumë alternativa
Sistemi i sigurimit të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar ka pësuar një ndryshim rrënjësor. Përgjatë tre viteve të fundit panorama e përzgjedhjes së teksteve ka ndryshuar shumë krahasuar me para vitin 2006, periudhë në të cilën sigurimi i teksteve shkollore ishte i centralizuar.
Por në mars të vitit 2006, një Vendim i Këshillit të Ministrave zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst- in si dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH, i cili aktualisht shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe certifikon prej tyre, ato tekste që i paraqiten shkollës për përzgjedhje sipas kritereve të përmbajtjes, të cilësive teknike dhe të çmimit. Thelbi i reformës orientohet nga çlirimi i monopolit dhe krijimi i tregut të teksteve, i mbështetur në konkurrencën e subjekteve private që i përgatisin këto tekste. Sigurimi i tyre nga një proces i centralizuar, sot është i decentralizuar. Që prej tre vitesh tekstet shkollore nuk sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga rrjeti i botuesve privatë. Si rrjedhojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është më zotëruese e së drejtës për të përzgjedhur në mënyrë përfundimtare tekstin që do të vendoset në bankën e nxënësit. Kjo e drejtë u ka kaluar mësuesve, që e përdorin tekstin me nxënësit e tyre. Për këtë qëllim, lejohet që në vend të një teksti të detyruar nga Ministria, mësuesit t'i paraqiten variante të ndryshme të përgatitura nga botues privatë, prej të cilave ai përzgjedh ata që quhen tekste alternativë. Alterteksti hedh tashmë në treg më shumë alternativa për çdo tekst shkollor, duke prurë realisht një ndryshim në të gjithë skenën arsimore shqiptare, një ndryshim pozitiv për prezencën e teksteve cilësor me standarde. Këtë vit MASH do të respektojë rezultatet e teksteve, të cilat kanë qenë fitues në vitin e kaluar, nga viti i parë deri në atë të 12-të, duke ofruar 3, 4, 5, apo më shumë alternativa të tjera. Këto tekste nuk do të ketë nevojë të përsëriten për këtë vit. Ndërsa për tekstet e lëndëve për të cilat ka pasur vetëm një alternativë ose dy, do të rihapet procesi i kërkesës për tekste të reja alternative, në mënyrë që të ofrohen më shumë tekste për 36 mijë mësuesit në rang vendi. Reforma e ndërmarrë nga MASH në sigurimin e teksteve ka bërë të mundur që edhe fondet e subvencionit shtetëror për tekstet shkollore nuk shkojnë më për të financuar prodhuesit e teksteve, domethënë botuesit dhe kompanitë e shtypshkrimit, siç ka ndodhur para vitit 2006. Këto fonde kalojnë në dorën e përdoruesve të teksteve, pra të prindërve dhe nxënësve, falë subvencionimit të teksteve shkollore. Subvencioni i teksteve shkollore sot është në duart e mbi 90% të prindërve, madje në rrethet Gjirokastër, Shkodër, Skrapar, Mat, Peqin, Lushnjë, Mallakastër, Përmet, Kolonjë, Has, Mirditë, Malësi e Madhe, Devoll, Pogradec, Tropojë, Kukës, Elbasan, janë shpërndarë 100% e fondeve të teksteve.
Email This Klikime: 3
Email This Klikime: 3