E Diel, 1 Nëntor 2026

“Njohja ime me Kiriçenkon kur survejohej nga Hrushovi”

13/06/2005  

Faqe 16-17

Hamza Koçiu 74-vjeç, ish-student në Rusi, tregon jetën mes komunistëve e njohjen me ish -Sekretarin e Komitetit Qëndror të B.S.

Nuk mund të rrija dot në heshtje, bisedën me Kiriçenkon ia raportova komisarit të Brigadës mbiujëse në Sazan. Nuk di ku e raportoi këtë gjë ai, por disa muaj më pas, ndoshta ishte vjeshtë, por me sa mbaj mend ishte ende ngrohtë, më kërkoi Beqir Balluku. Më priti me mjaft dashamirësi në zyrën e tij, duke më thënë se kishte dijeni të plotë mbi bisedën që kisha patur unë me Kiriçenkon, por ai donte ta dëgjonte nga mua

“Po i afroheshim stacionit hekurudhor të Krasnadarit. Deri atë kohë, më shumë kishim vështruar nga dritaret e trenit sesa kishim biseduar më njeri- tjetrin. U kishim dhënë fund studimeve të larta të Marinës Ushtarake në Baku të Bashkimit Sovjetik, dhe tani po ktheheshim për në Shqipëri. Megjithatë, ikja na kishte zhytur në një ndjesi nostalgjike, teksa po përshkonim hapësirat e atij vendi të madh. Nuk na shkonte në mend se nga Bashkimi Sovjetik po ndaheshim përgjithmonë”. Kështu e nisi tregimin e tij për gazetën “Metropol”, Hamza Koçiu, 74-vjeç, banor i qytetit të Korçës, ish-student në Bashkimin Sovjetik, tashmë ushtarak në pension. Po udhëtoja bashkë me mikun tim, B.J, vazhdon ai, me të cilin kishim studiuar bashkë. Udhëtimi nga Bakuja, kryeqyteti i Azerbajxhanit, drejt Odesës, që përshkohej në katër ditë e katër netë, na kishte bërë më të zymtë, ndoshta ngaqë të dy mendonim lodhjen dhe ndarjen nga vendi me të cilin ishim njohur që nga viti 1955, koha kur kishim filluar studimet. Në stacionin e Krasnadarit, treni qëndroi dhe miku im tha të blinim nga një dhallë. Ishte qershor i vitit 1960 dhe atë ditë bënte shumë vapë. Të merrej fryma. Pa disa minuatve, u gjendëm sërish në kubenë tonë të trenit, por pak më të freskët. Drejt kabinës tonë po vinte një burrë i gjatë, i shëndetshëm dhe i pashëm. Diku e kisha parë atë njeri, por në fillim nuk po më kujtohej. Pyeta mikun tim, B.J., por dhe ai nuk e njihte. Tha se diku e kishte parë, por nuk po e kujtonte dot. Njeriu që kishim përpara po na vështronte si për të na thënë diçka. Ne ishim dy veta dhe në kubenë tonë kishte një vend të lirë. Ai dëshironte të ulej pikërisht aty, bashkë me ne. E morëm vesh një gjë të tillë, kur ai na u drejtua rusisht dhe na pyeti nëse mund të ulej aty. Jam peshë e rëndë, tha dhe dua të çlodhem pak. I thamë të ulej. Pak më vonë, nga ne hodhi sytë një grua bjonde, mjaft tërheqëse, duke buzëqeshur lehtë dhe pas kësaj humbi në korridorin e gjatë të trenit. Njeriu që ishte ulur bashkë me ne tha diçka për ditët e nxehta të qershorit, të cilat i ndjente më shumë nga ne. Folëm me të diçka sa për t’u gjendur në bisedë, por ai vuri re akcentin tonë të rusishtes që flisnim dhe na pyeti, po ju nga jeni. I thashë se ishim shqiptarë, duke u përpjekur të kujtoja se ku e kisha parë atë njeri. Të njëjtën gjë m’u duk se po bënte edhe B.J. Por njeriu i panjohur tha me dashamirësi se i pëlqenin shqiptarët, veçanërisht krenaria juaj, theksoi me dashamirësi. E pyeta se kush ishte ai, më shumë për të shpëtuar nga vuajtja që më kishte kapur për ta gjetur se kush ishte ai që më dukej mjaft i njohur dhe në të njëjtën kohë, pse duhej ta kisha harruar. Unë jam Vasiljev Kiriçenko, u përgjegj ai. Kiriçenko... mendova, ndërsa ndjeva bërrylin e shokut tim që më gacmoi në ije. Si nëpër mjegull po kujtoja gjithçka që kisha dëgjuar për të. Dija që ishte inxhinier mekanik, kishte punuar në aparatin e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Ukrainës, ushtar në frontin e Stalingradit dhe në frontin e katërt të Ukrainës, sekretar i parë i Komitetit Qëndror të Odesës, ndërsa në kongreset XIX-XX, anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe së fundi, Sekretar i Komitet Qëndror të B.S. Tashmë ky njeri që po udhëtonte bashkë me ne që nga stacioni i Krasnadarit ishte i shkarkuar nga të gjitha detyrat. Kjo kishte ndodhur nga fundi i vitit 1959, dhe ndoshta kjo kishte qënë arsyeja që e kisha harruar fytyrën e tij. Miku im përsëri deshi të më thoshte diçka, po kësaj rradhe pata përshtypjen se donte të më tregonte gruan bjonde që ishte shfaqur sërish me shikimin nga ne.

Bjondja që survejonte Kiriçenkon

Kush është ajo grua, pyeta Kiriçenkon, duke menduar se do të ishte ndonjë tjetër e shkarkuar nga Nikita Hrushovi. Në atë kohë shkarkimet në Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ishin të shumta dhe të frikshme. Pa ngritur kokën, por duke kuptuar se për kë e kishim fjalën tha, ajo grua është survejuesja ime. Thjeshtë bën punën e badigardit shtoi ai, por jo si dikur kur isha anëtar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Pra ai survejohej, ky fakt më futi mes drojes dhe frikës, nëse duhej të vazhdoja bisedën me të ose jo, vazhdon më tej rrëfimin e tij Hamza Koçiu. Miku im kishte kthyer kokën nga dritarja, duke më lënë të kuptoja se nuk do të vështronte më nga Kiriçenko. Tashmë edhe “Bjondja” na ishte kthyer në një tmerr të vërtetë. Ju nuk keni frikë tha Kiriçenko, njësoj sikur të kishte kuptuar se ç’po mendonim ne, atë çast. Ju shqiptarët e thoni gjithçka hapur, nuk bëni dot ndryshe. Kam lexuar dikur, tha ai, se si Batalioni i Veli Pashait që u nis për t’iu bashkuar Napoleon Bonapartit që të luftonte kundër nesh, nuk u realizua sepse shqiptarët nuk pranuan. Thashë një “e di” të vagët dhe heshta për të mos e ndezur bisedën, por ai shtoi krejt i qetë, e dini që jam i pushuar nga të gjitha detyrat.

Biseda me ish sekretarin e Komitetit Qëndror të B.S

“Koço Tashko i kërkoi Hrushovit të rrëzonin Enver Hoxhën”

Shoku im tha të luanim domino, ndërsa më tha me zë të ulët se “Bjondja” po shikonte përsëri nga ne. Luajmë tha Kiriçenko. Ndërsa nisëm të luanim pyeti përsëri, e dini që Enver Hoxha është ngritur kundër Hrushovit dhe pa pritur përgjigje vazhdoi, tashmë do t’i keni punët edhe më keq. Nuk do të keni ndihma, por edhe mund t’ju uzurpojë. Kush, e pyeta i shqetësuar. Bashkimi Sovjetik me miqtë e tij, veçanërisht Jugosllavinë dhe Bullgarinë. Që Hrushovi po ndihmon Jugosllavinë kjo duket qartë i thashë, por me frikën se ndoshta bjondja kishte vendosur diku përgjues dhe tashmë dëgjonte fjalën time. Ne bisedonim rusisht. Po tha Kiriçenko, sepse Jugosllavia u lidh me perëndimin kurse ju nuk e bëtë këtë. Miku im godiste me gurët e dominosë mbi tavolinë i nervozuar, por një gjë të tillë e bënte më shumë që të mos dëgjoheshin zërat tanë. I thashë diçka në lidhje me mbrojtjen tonë dhe dashurinë që kishin shqiptarët për lirinë, por Kiriçenko solli një fjalë të urtë, “Gjemia e madhe e mbyt gjeminë e vogël.” Çdo të thotë kjo, e pyeta i pakënaqur. Ti je detar, mu drejtua, dhe e kupton se një anije e vogël nuk e përballon dot një anije të madhe. Kiriçenko po fliste me gjuhën e inxhinierit. Ne i kemi anijet tona në ujërat tona, ia ktheva. Po tha ai, por edhe në Shqipëri ka njerëz që mendojnë ndryshe, vetë Koço Tashko i ka kërkuar Nikita Hrushovit të përmbysë pushtetin e Enver Hoxhës. Nuk e di, i thashë. Kuptohet, tha ai, s’ke nga ta dish, por po ua them unë se kjo është e vërtetë. Pas kësaj, tha diçka për Liri Belishovën, por nuk arrita të mbaj mend asgjë. Ndoshta thjeshtë kishte pyetur për të. Përse të shkarkuan e pyeta. Sepse Nikita Hrushovi është qen që ha të zonë, sqaroi ai dhe më pas kujtoi se kishte qënë miku më i afërt i Hrushovit, se si i kishte dalë në mbrojtje në vitin 1957 dhe si si ishin armiqësuar për qëndrimin që duhej të mbahej për figurën e Stalinit. Hrushovi është vrasës tha ai. Edhe Berjan e vrau pabesisht me dorën e badigardit të tij. Pastaj shtoi, të njëjtin fat pati edhe presidenti i Republikës së Azerbajxhanit. Ju nuk e pëlqeni Hrushovin, e pyeta. Jo tha Kiriçenko, Hrushovi është populist, por jo popullor, fjalimet e tij janë të mbushura me barsaleta, por jo me seriozitet. Hrushovi është vrasës tha ai, dhe për herë të parë vështroi për të mësuar nëse bjondja ishte akoma aty.

Biseda që u botua tek “Hrushovianët”

Loja e dominosë ishte lënë dhe miku im vështronte sërish nga dritarja. Duket se Kiriçenko kishte arritur në stacionin e tij dhe tha se po zbriste. Iku, por miku im ende nuk e kishte marrë veten nga ajo që kishte ndodhur. Gjithçka, tha ai, do të bjerë në vesh të sigurimit shqiptar, si për të thënë se ai nuk kishte folur shumë në atë bisedë. Edhe kur arrita në Shqipëri, përsëri nuk më hiqej nga mendja Kiriçenko, bjondja që u shfaq dhe u zhduk disa herë. A e mori vesh ajo që ishim shqiptarë. Çfarë dëgjoj vallë nga ajo bisedë, por mbi të gjitha a e mori vesh sigurimi i shtetit shqiptar. Shumë shpejt nisa punën në Marinën e Sazanit. Nuk mund të rrija dot në heshtje, bisedën me Kiriçenkon ia raportova komisarit të Brigadës mbiujëse në Sazan. Nuk di ku e raportoi këtë gjë ai, por disa muaj më pas, ndoshta ishte vjeshtë, por me sa mbaj mend ishte ende ngrohtë, më kërkoi Beqir Balluku. Më priti me mjaft dashamirësi në zyrën e tij, duke më thënë se kishte dijeni të plotë mbi bisedën që kisha patur unë me Kiriçenkon, por ai donte ta dëgjonte nga mua. I tregova gjithçka që mbaja mend duke u munduar të isha sa më i saktë në detaje. Mirë, tha Balluku, të gjitha këto që më thatë është mirë të na i jepni të shkruara. Si urdhëron iu përgjegja. Gjithë bisedën e kam shkruar në paradhomën e Beqir Ballukt. Pasi ia dorëzova, u ktheva në Sazan. Kur doli në qarkullim libri i Enver Hoxhës, “Hrushovianët”, pashë se biseda ime ishte riprodhuar pjesërisht atje. Nuk e di se ç’ndjeva kur e lexova, por për shumë vite mbeta i heshtur mbi ato rreshta, ku sa herë e lexoja, më dilte para syve Kiriçenko dhe bjondja me një pamje mjaft joshëse.

Vepror Hasani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›