Tentojnë të lidhin dritat me forcë, shoqërohen dy persona
13/06/2005 SHKODER – Dy persona janë shoqëruar nga policia, pasi kanë hapur me forcë kasetat e matësve të energjisë elektrike. Burimet nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër, bëjnë të ditur se rreth orës 17 të ditës së shtunë, punonjësit e Koorporatës Energjitike Shqiptare, kanë konstatuar se në pallatin 1600 të lagjes “Perash” të qytetit të Shkodrës, është hapur me forcë kaseta e matësave elektrikë të këtij pallati. Menjëhërë pas konstatimit, këta punonjës kanë bërë kallëzimin në komisariatin e policisë, forcat e së cilit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Pas kqyrjes së vendit të vendngjarjes dhe hetimeve të para, u konstatua se kaseta e matësave ishte hapur me mjete të forta me qëllim që të bëhej rilidhja me energji për 5 familje të cilat ishin penalizuar nga punonjësit e KESH, me këputje të energjisë elektrike, për shkak të mospagesës së faturave të energjisë elektrike. Lidhur me këtë ngjarje, blutë e Shkodrës kanë bërë edhe shoqërimin e dy shtetasve të këtij pallati në lagjen “Perash” si të dyshuarit e kësaj ngjarjeje. Ky është rasti i dytë brenda një muaji, ku shtetasit hapin me mjete të forta kasetat apo bokset e matësave elektrikë ,veprim ky i kryer për rilidhjen e energjisë elektrike të shkëputur nga vetë punonjësit e KESH-it ,për moskryerje detyrimesh nga debitorët.