E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia jep gjak për talasemikët

13/06/2005  BERAT - Një bashkëbisedim midis punonjësve të policisë dhe punonjësve të Kryqit të Kuq dhe Qendrës të Dhurimit të Gjakut me qendër në qytet, perfundoi me mirëkuptim për të ndihmuar njerëzit në nevojë dhe të sëmurët talasemikë. Nga shtimi i nevojës për mungesën e gjakut në spital dhe ndihmën që duhet të japin për të sëmurët, dje në mesditë në ambjentet e komisariatit në dhomën e mjekut, janë krijuar të gjitha kushtet sterile për dhurimin e gjakut. Janë paraqitur mbi 20 punonjës policie që dhuruan gjak vullnetar. Sipas zëdhënëses së shtypit të komisariatit Klodjana Gushali, vetë policët janë paraqitur dhe kanë shënuar emrin në listën e dhurimit të gjakut. Po dje, Gushali tha për gazetën se punonjësit e Kryqit të Kuq dhe ata të dhurimit të gjakut, nuk e menduan se në dhomën e dhënies të gjakut u paraqitën mbi 40 policë të cilët janë gati të ndihmojnë të sëmurët me gjak. Për tre orë rresht, u mundësua marrja e gjakut vullnetar. Nisur nga numri i madh i policëve që janë paraqitur, nuk ka mjaftur koha. Punonjësit e dhurimit të gjakut, kanë vendosur që të vijnë edhe tre dite të tjera për të vazhduar punën.

Uniformat blu të komisariatit të qytetit të Beratit, kanë dhënë kontributin e tyre në dhurimin e gjakut për pacientët në nevojë me moton “Duke dhuruar gjak shpëton jetë!“ dhe nga ana tjetër, u kanë bërë thirrje edhe kolegëve të tyre të dy komisariateve të tjera që ka Drejtoria e Policisë e Qarkut të Beratit, atë të Kuçovës dhe atij të Skraparit. Po dje, disa infermiere dhe mjekë të qendrës spitalore, janë vënë në dispozicion të fushatës së dhurimit të gjakut, një nismë e ndërmarrë nga vetë punonjësit e policisë.

Sasia e dhurimit të gjakut, ka mbërritur menjëherë në ambjentet e laboratorit të mbajtjes të gjakut, në spitalin rajonal të Beratit. Sipas të dhënave nga punonjëset e dhurimit të gjakut, kjo është e para nisëm kolektive, por që ndoshta do të sensibilizojë njerëzit më shumë në të ardhmen. Kohët e fundit, ëshët ulur ndjeshëm numri i dhuruesve të gjakut, kjo edhe për arsye të uljes të çmimit dhe të problemeve të tjera anësore mes të cilëve, që shumë nga dhuruesit e gjakut, janë larguar për në emigracion për nevoja ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›