E Diel, 1 Nëntor 2026

Perla jugore hap dyert për pushuesit

13/06/2005  Komuna e Ksamilit çel sezonin veror 2005

SARANDE – Dje në mesditë, në komunën e Ksamilit është zhvilluar ceremonia e çeljes së sezonit veror të këtij viti. Në ceremoni, ishin të pranishëm kryetari i komunës, Vesel Koçia, përfaqësues të këtij institucioni dhe dhjetëra banorë të kësaj komune.

Në fjalën e rastit, kryekomunari tha se Ksamili është i futur tashmë në hapat e zhvillimit të industrisë së turizmit.

Ksamili me masat e marra, tha Koçia, është i gatshëm të presë një numër më të madh turistësh, krahasuar me vitet e tjera.

Këtë vit, sipas tij, në Ksamil do të ketë më shumë orë furnizimi me ujë të pijshëm për popullatën që do të thotë një lehtësim për të gjithë biznesin turistik të komunës, i vleresuar si një nga më të rëndësishmit në vendin tonë, për nga fitimet që ka, por dhe nga numri i lartë i turistëve krahasuar me numrin aktual të popullsisë. “Ende ngelet enigmë, sipas Koçisë, se çfare vendimi do të marrë qeveria për ngritjen e lokaleve verore ne anë të detit kur dihet, vuri në dukje ai- që këto lokale, kanë një efekt të drejpërdrejtë ekonomik tek qytetarët e Ksamilit, por dhe tek komuna, duke rritur disa herë të ardhurat lokale, të cilat jashtë sezonit të verës janë të varfëra”.

Pak ditë me parë, policia ndërtimore e prefekturës së Vlorës, mori një aksion ku shembi disa lokale verore buzë detit në Ksamil dhe ndërpreu çdo lloj pune, për ngritjen e atyre që ishin planifikuar me lejen e marrë nga drejtuesit lokalë të komunës.

Veprimtaritë për çeljen e sezonit turistik në Ksamil, kanë vazhduar me aktivitete festive të organizuara nga nxënësit e shkollës së mesme “5 Dëshmorët” me recitime, intepretime dhe mesazhin për një sezon turistik sa më të mbarë. Një vit më parë sipas statistikave, në Ksamil, kanë qëndruar në periudha të ndryshme kohore, më shumë se 15 mijë turistë. Kjo shifër, është 1 e treta e numrit të turistëve që vizituan Sarandën dhe pikat e saj turistike, veren e vitit të shkuar. B. Bardhi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›