Prokuroria; Hetuesit e Gërdecit intervistojnë personat e plagosur nga tragjedia
Në kohën kur gjendja është stabilizuar dhe të gjithë të dëmtuarit e tragjedisë së 15 marsit janë kthyer pranë familjarëve të tyre, hetuesit e çështjes së Gërdecit kanë marrë në pyetje dëshmitarët e tragjedisë. Burime pranë grupit hetimor pohuan dy ditë më parë se gjatë javëve të fundit hetuesit kanë shkuar në banesat e disa nga të dëmtuarve si pasojë e shpërthimit në Gërdec, duke realizuar kështu procedurën e intervistimit të tyre. Gjithashtu, mësohet nga burimet se dëshmitarët janë marrë në pyetje mbi rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes në fjalë në funksion të dokumentimit ligjor të saj. Si pasojë e shpërthimit më 15 mars në Gërdec, humbën jetën 26 persona, ndërsa mbetën të plagosur shumë të tjerë. Nën hetim për këtë çështje, e cila po hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, janë marrë disa persona administratorë të subjekteve të fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec si dhe ish-funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes. Intervistimi i këtyre personave bëhet sepse më parë hetuesit e çështjes nuk kishin se ku të kontaktonin me këta të fundit për arsyen se ata ndodheshin nëpër spitale të shtruar nga plagët e marra gjatë shpërthimit të fabrikës së demontimit.