E Shtunë, 31 Tetor 2026

Notari shqiptar mbyll i 37-ti garen ne 100 m stil i lire

Një tjetër maksimum i dhënë nga një sportist shqiptar në Londër 2012 dhe sërish një rezultat brenda normales dhe jashtë gjysmëfinaleve. Sidni Hoxha fitoi baterinë e tij eleminatore në 100 metra stil i lirë në not, duke vendosur rekord kombëtar me kohën 51”11, por duke arritur të dalë vetëm i 37-ti mes 60 konkurruesve.
Hoxha konkurroi në baterinë e tretë duke e fituar atë, ndërsa vetëm 16 notarët më të mirë u kualifikuan për në finale. Koha e tij ishte vetëm 2”44 larg kampionit olimpik dhe rekordmenit botëror, brazilianit Sezar Sielo.
Notari 20-vjeçar, shtatlartë 1.93 metra, mori pjesë në Olimpiadën e 4 viteve më parë në Pekin 2008, veçse në garën e 50 metrave stil i lirë, duke dalë i 63-ti ndër 97 pjesëmarrës.
Deri tani, në Lojrat Olimpike kanë konkurruar Arben Kuçana në qitje duke dalë i 20-ti në 10 metra pistoletë, Noel Borshi në not duke dalë e 40-ta në 100 metra flutur, Majlida Kelmendi duke arritur ndër 16 më të mirat në xhudo dhe Romela Begaj duke dalë e 11-ta në peshëngritje, deri në 58 kg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›