Vendimi; Gjykata e Lartë refuzon rekursin për Dondollakun
Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e bërë nga avokati i krahut të djathtë të Aldo Bares, Enver Dondollaku, duke refuzuar marrjen në shqyrtim. I dënuar vetëm me 25 vite burg, pasi iu pranua kërkesa për t’u gjykuar me gjykim të shkurtuar, Dondollaku pati shpresa për një vendim ndryshe nga shkalla e tretë e gjyqësorit. Gjatë procesit gjyqësor, Dondollaku u gjykua në mungesë, njëlloj siç ishte hetuar, duke u përfaqësuar nga avokati Vladimir Meçi, të cilin fillimisht familja e tij e kishte pajisur me prokurë, ndërsa më pas vetë i pandehuri dërgoi deklaratë nga burgu i Riminit, Itali, ku ngarkonte këtë avokat ta përfaqësonte gjatë procesit gjyqësor. Në emër të klientit të tij, avokati Meçe kërkoi aplikimin e gjykimit të shkurtuar, pasi pretendoi se çështja mund të zgjidhej në gjendjen që ndodhen aktet e depozituara. Pranimi i kësaj kërkese u bë shkak që Dondollaku të shpëtonte nga dënimi i përjetshëm. Tashmë pritet ekstradimi i tij nga Italia për të vuajtur dënimin e dhënë nga drejtësia. Gjatë konkluzioneve të mbrojtjes, avokati i tij kërkoi pafajësi për Dondollakun, duke pohuar se nuk u vërtetua asnjë akuzë ndaj tij, ndërsa Prokuroria kishte kërkuar dënimin kapital nisur vetëm nga opinionet dhe deklarimet e ish-anëtarit të bandës, Petrit Liçi, i cili tashmë ka fituar statusin të penduarit të drejtësisë.