E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk arrihet rrotacioni politik me “po sikur?...”

13-07-2011 / Nga Eden Babani

Tregojnë se në një shtëpi nga ato të qëmoçmet, një ditë prej ditësh, pa pritur e pa kujtuar, plasi një vaj i madh. U lëshuan fqinjët me një frymë, por... S’kishte ndodhur gjë prej gjëje. Megjithatë, vaji, vaj, edhe kur fqinjët mësynë shtëpinë, edhe  pasi u larguan. Më kureshtarët, zbuluan se shkaku na qenkësh një sëpatë e varur lart, mbi një tra të katoit. Po sikur djali i vetëm i familjes të martohej? Po sikur nusja të mbetej shtatzënë e të lindte një topolak të vogël? Po sikur topolaku të hynte në katua? Po sikur sëpata të binte poshtë, ai të ndodhej nën të dhe sëpata ta vriste? Djali s’ishte martuar, nusja s’ishte gjetur, topolaku s’ishte zënë ende. Vetëm sëpata varej në traun e tavanit të katoit. Megjithatë, “po sikur?...” Dhe vaji, vaj. Ta qajmë topolakun pa u lindur!...
Pyetjen me “po sikur?...”, - kësaj here në kontekst politik - nuk e kam formuluar unë. E ka formuluar zotëria a zonja Kina në një nga ato komentet e të ngeshmëve, në internet, duke mos qenë dakord me opinionin tim lidhur me jetëgjatësinë e aleancës së sotme të shumicës qeverisëse dhe me të ardhmen e saj. “Nuk më thua -  pyet Kina - kush ka fituar më shumë vota, PS-ja apo PD-ja? Po sikur nesër koalicioni të prishet...?”
Nuk është vështirë të vërehet se, në këtë rast, “po sikur?...” ka marrë nuanca ngushëlluese, shpresëdhënëse për atë që e ka formuluar, pa i ndjellë aspak vaj atij të cilit i është drejtuar, siç do të luste formuluesi. Gjithsesi, them se pyetja është me vlerë. Ajo më nxit të shkoqis edhe më hollë opinionin tim për të ardhmen e të dyja aleancave të sotme politike në Shqipëri, asaj qeverisëse dhe asaj në opozitë.
Pjesën e parë të pyetjes se cila prej të dyja partive që udhëheqin koalicionet ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e fundit, po e konsideroj kalimthi, pa humbur në numra me pesë a gjashtë shifra. Tashmë ata janë bërë të njohur. Është bërë e njohur, gjithashtu, edhe se sa vota në rang vendi ka marrë koalicioni Aleanca për Qytetarin, nga njëra anë, dhe sa Aleanca për të Ardhmen, nga ana tjetër, çka, po t’i konvertosh në vota për deputetë, PD-ja dhe aleatët e saj dalin kaluar, sipas kodit zgjedhor ekzistues. Ma do mendja që Kina të shpresojë, madje ta lusë një prishje të mundshme PD-LSI përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 1913-s, ngase llogaritë kanë filluar të bëhen qysh tashti. Sa u takon vendoreve të 8 majit, Kina dhe gjithë ata që mendojnë si ai/ajo janë më të ndërgjegjësuar se kurrë që ato janë mbyllur njëherë e përgjithmonë me disa vendime radhazi të KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor, ani se dikush – besnik i strategjive antishqiptare - përpiqet të përgojojë institucionet e pavarura, duke dashur të përbaltë Shqipërinë me moton shtyje ta shtyjmë, mjaft që të nxijmë gjithçka e të krijojmë përshtypjen se shqiptarët nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet e tyre.
Sipas meje, në të ardhmen, boshti politik në Shqipëri do të anonte andej nga do të rreshtohej LSI-ja. Kjo e vërtetë, të cilën e përjetuam me fitoren e Aleancës për Qytetarin në rang vendi dhe në Kryeqytet, nuk u shkon mbroth zotërisë/zonjës në fjalë dhe të gjithë atyre që ndihen të strehuar nën atë çadër ngushëlluese kineze, anonimë ose jo. Ata do ta mbajnë veten me shpresë sot, do të lusin edhe nesër me “po sikur?...” Por kot. Kinezërive u ka ikur koha. Udhëheqësi i opozitës, i cili humbi LSI-në e Ilir Metës dy vjet të shkuar, sivjet humbi edhe PK-në e Hysni Milloshit, me votat e të cilit Tiranën do ta kishte (ç)qeverisur edhe katër vjet të tjerë. Lavdi orës që Milloshit i tha truri t’i hiqte Ramës jo pak, por afro 1400 vota! Lavdi zotit, që ia mori mendtë Ramës dhe e përbuzi aleancën me kapelat e PK-së! Zaten, Zoti, përpara se të merr gjënë, të merr mendtë.
Pjesa tjetër e pyetjes së zotërisë/zonjës Kina, është ajo me “po sikur?...”, çka ka ngacmuar dhe do të ngacmojë ende për kushedi sa kohë vetëdijen e politikës sonë. Po sikur të prishet koalicioni Berisha-Meta-etj.?
Së pari, koalicioni doli fitues në zgjedhjet vendore të 8 majit dhe s’ka asnjë arsye përse fitimtarët të prishen pas fitores, me gjithë dëshirën e zotërisë/zonjës Kina dhe të një takëmi si puna e tyre, të cilët s’do ta kishin për gjë t’i jargaviteshin LSI-së “dalë dore” në verën e nxehtë të 2009-s, siç u jargavitej dhelpra “atyre” të dashit, hë t’i bien këtu, hë t’i bien atje matanë.
Së dyti, të mos harrojmë se koalicioni qeverisës ka me çka gëzohet edhe përpara fitores historike të Tiranës, ngase rruga e nisur në 2009-n ka plot stacione të tjera promovimi të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilat tashmë i njeh çdo shqiptar.
Së treti, koalicioni qeverisës ka edhe me çka të merret deri në zgjedhjet e pritshme. Reformat e suksesshme të këtyre dy vjetëve, presin finalizimin e tyre, ndërsa lista e atyre që duan miratim, është e gjatë.
Së katërti, janë të gjitha gjasat që fushata e ardhme elektorale të bëhet e ngjashme me fushatën shembullore e të suksesshme të Bashës, pranverën që shkoi, pra me programe të studiuara, jo me premtime boshe ose me fyerje e akuza ndaj kundërshtarit. Përvoja nuk mungon. Ajo është e freskët dhe arritjet, të prekshme.
Në këto kushte, pa pretenduar se s’ka edhe të tjera pro ose kundër, vështirë të hamendësohet një prishje e mundshme, qoftë edhe për shkak të përkatësisë majtas ose djathtas të partive aleate. Përvojat politike botërore kanë treguar se koalicione të qëndrueshme qeverisëse janë ato që vënë në themel të tyre interesat e vendit, përpara interesave partiake. Siç dihet, vendi ynë synon të finalizojë anëtarësimin në Europën e Bashkuar, për çka edhe është punuar intensivisht këta dy vjet nga ana e shumicës në pushtet, duke reformuar nivele të ndryshme të makinës shtetërore dhe duke fituar besimin e mirëkuptimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Nga ky këndvështrim, pa përmendur arritjet tashmë të njohura botërisht, të cilat janë thënë e stërthënë, merita është e shumicës qeverisëse, e cila, në interes të vendit, kërkoi dhe gjeti pika përputhjeje në programet partiake përkatëse, duke shmangur mospërputhjet e mundshme. Nga i njëjti këndvështrim: nëse sot Europa e Bashkuar e ka vënë Shqipërinë në qendër të vëmendjes dhe kërkon me këmbëngulje përsosjen e legjislacionit ekzistues, si edhe arritjen e kritereve të tjera të vëna për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nëse ato ende nuk janë plotësuar, “merita” i takon opozitës me bojkotet e vazhdueshme të Parlamentit, me mos-votimin e ligjeve që duan shumicë të cilësuar, si ai për reformimin e sistemit të drejtësisë, ose me tensionet politike që e kanë pikënisjen te kërkesa dyvjeçare për hapjen e kutive, për të mbërritur te kërkesa sa absurde, aq edhe kundërthënëse e së parës, për mos-hapjen e kutive, domethënë për të mos lexuar vullnetin e lirë të qytetarëve, për shkak të gabimeve njerëzore.
Ja sepse shanset e shpërbërjes së koalicionit qeverisës janë fare të pakta, në mos të paqena. E ardhmja politike e vendit nuk mund të hamendësohet me “po sikur?...”, pavarësisht ëndrrave me sy hapur të zotërisë/zonjës Kina, pavarësisht larmisë së ngjyrimeve politike në një koalicion të caktuar.
Përkundrazi, sipas meje, shumë më të mëdha janë gjasat për shpërbërjen e  koalicionit opozitar.
Së pari, çarjet, në mos sherret brenda për brenda PS-së, tashmë janë bërë publike më shumë se kurrë. Lodhur nga politika e rrugës, shumë figura të njohura të saj janë gati t’u kthehen institucioneve. Kjo parakupton mosbindje ndaj kreut humbës të partisë, çka çon ose në lindjen e fraksioneve brenda partisë, ose në shkëputje të plotë prej saj, drejt një rigrupim të ri. Në këtë pikë kritike, koalicioni opozitar do të merrte një të krisur të thellë, të pariparueshme.
Së dyti, aleatët e PS-së, ndonëse pa asnjë vend në Parlament, pra pa asnjë peshë politike, i kanë bërë publike me kohë rezervat e tyre për drejtimin e koalicionit. Ndërsa Milo duket se kërkon një politikë më të matur, për të sajuar ndonjë votë më tepër në elektorat, Gjinushi e Ngjela kërkojnë ashpërsimin e situatave deri në tejskaj, madje edhe revolta të tipit bolshevik. Ndoka, nga ana e vet, ky pehlivan i kapërcimit prej një partie, në tjetrën, prej një koalicioni, në tjetrin, ka filluar të hedhë vickla, për t’u shkëputur prej Ramës e për t’u lidhur me Lesin. Mirëpo, a e ha Lesi “atë tek”, të lidhet me një dështak, ndërsa bën pjesë në një koalicion të suksesshëm?
Së treti, mospërfillja e partnerëve ndërkombëtarë nga ana e altoparlantëve të Ramës, është një nonsens me vetëdijen e shqiptarëve, pra edhe me atë të “popullit të majtë” në përgjithësi. Edhe se kohët e fundit këtë detyrë Rama ia ka ngarkuar njeriut të vogël me emrin Erion Braçe, i cili në facebook-un e vet ulërin me zë trumcaku: “Nuk dua të dëgjoj më të huajt! Asnjërin prej tyre! Nuk i besoj më!”, socialistët e vërtetë e shohin të ardhmen e partisë së tyre përkrah institucioneve europianë, të cilat përfaqësojnë në Shqipëri, edhe të majtën europiane, ashtu siç përfaqësojnë të djathtën. Tashmë socialistët shqiptarë dinë të gjykojnë se deri ku mund të arrijnë koka (së mbari) dhe këmbët (së prapthi) të deputetit liliput. Madje ata dinë edhe çka është e çka nuk është në interes të kombit, më mirë se vetë Braçja.
Së katërti, përvoja e PS-së nuk është vetëm me pllanga të errëta, që janë shtuar bash këta dy vjet të konfiguracionit politik ekzistues. Ajo përmban edhe pjesë të ndriçuara, të cilat, nëse do të ecet drejt së ardhmes me strategjinë e përplasjeve, një ditë s’do të dallohen më as me lente zmadhuese. Precedenti i përvojës pozitive parakupton prishjen e baraspeshës brenda për brenda një bashkësie, politike ose jo, sidomos në situata kur negativja ka prodhuar vetëm humbje.
Nuk më thua tashti zotëri/zonjë Kina sa përqind rri mbi këmbët e veta pyetja jote me “po sikur?...” Mos, vallë, i ngjan (së prapthi) asaj ndodhisë me sëpatën varur mbi traun e katoit dhe të topolakut ende pa u lindur?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›