PD, ankimim në Kolegjin Zgjedhor

Për mandatet e Këshillit bashkiak
Partia Demokratike ka depozituar dje një kërkesë ankimore në Kolegjin Zgjedhor të Apelit, lidhur me ndarjen e mandateve të 55 anëtarëve të Këshillit bashkiak të Tiranës. Selia blu kërkon konstituimin e këshillit, në bazë të tabelave përmbledhëse të nxjerra nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, pas mos miratimit nga KQZ të projekt-aktit, për mungesë kuorumi votash pasi 3 anëtarët e opozitës nuk votuan.
Opozita kundërshtoi miratimin e tabelës përfundimtare për Këshillin Bashkiak pasi juristëve të saj aty nuk u shtuan votat e gjetura në kutitë e tjera, edhe pse ato nuk do të kishin asnjë ndikim në shpërndarjen e mandateve. Pikërisht te kjo pikë, janë mbështetur dhe demokratët të cilët u shprehen në favor të miratimit të tabelës, sipas së cilës “Aleanca për Qytetarin” do të ketë 28 anëtarë në këshill, ndërsa “Aleanca për të Ardhmen” 27.
Më 8 korrik, Kolegji Zgjedhor shqyrtoi një çështje te ngjashme, teksa vendosi për shpërndarjen e mandateve të këshillave të minibashkive të Tiranës. Në atë rast, Kolegji i dha të drejtë Partisë Demokratike.
I njëjti zhvillim parashikohet të ndiqet edhe për rastin e mandateve të këshillit bashkiak të kryeqytetit.
Këshilli Bashkiak i Tiranës është i përbërë nga 55 këshilltarë. Nga zgjedhjet e 8 majit, koalicioni i djathtë ka 28 këshilltarë dhe ai i majtë 27 këshilltarë. Brenda koalicionit të djathtë, 19 këshilltarë i ka PD-ja, 5 këshilltarë i ka fituar LSI-ja, 2 PDIU-ja dhe nga një PR dhe PLL. Në koalicionin e majtë, 25 këshilltarë i ka fituar PS-ja dhe nga një PDS dhe PSV 91.