E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk deklarojnë pasurinë, gjobiten 18 zyrtarë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 30-06-2011 11:20

Tiranë- Të paktën 18 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë gjobitur nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, i cili ka vendosur të marrë masa administrative ndaj zyrtarëve që nuk kanë deklaruar në kohë pasurinë. Sipas ILDKP-së, zyrtarët, kryesisht kryetarë komunash, por edhe dy gjyqtarë, nuk kanë respektuar kërkesat e ligjit për deklarimin e interesave private. Zyrtarët e ndëshkuar janë drejtues të Pushtetit Vendor në disa me shtrirje gjeografike, thuajse në të gjithë vendin, ndërsa mes të gjobiturve është edhe ish-kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Meli. Po ashtu, ILDKP ka vendosur të gjobisë për vonesa në deklarimin e pasurive edhe dy gjyqtarë, respektivisht Alvano Murataj, gjyqtar në Korçë dhe Klodian Rado, gjyqtar në Pogradec. Aktualisht të dy gjyqtarët e ndëshkuar nuk janë në detyrë, pasi gjyqtari Murataj është i pezulluar, pas kërkesës së prokurorisë për hetimin e tij për akuzën e deklarimit të rremë, ndërsa gjyqtari Rado është larguar jashtë vendit. Mes të ndëshkuarve janë dy doganierë që ushtrojnë detyrën në Gjirokastër, si dhe drejtori e ish-drejtori i shoqërisë aksionere “Kripa” Vlorë. Sipas ILDKP-së, masat administrative ndaj 18 zyrtarëve janë marrë në përfundim të procesit të deklarimit të interesave private periodike/vjetore. “Nga veprimet administrative, ka rezultuar se 17 zyrtarë nuk kanë respektuar afatin ligjor për deklarimin e interesave private për vitin 2010. Pas komunikimit shkresor, subjektet nuk mund të justifikonin me arsye të ligjshme vonesën në plotësimin e detyrimit ligjor. Për këtë arsye, Inspektorati i Lartë vendosi gjobitjen e tyre, bazuar në nenin 44/1/c të ligjit nr. 9367, dt. 7.4.2005 ”Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”” - tha zyrtarisht dje ILDKP. Ky institucion ka ndëshkuar me gjobë edhe një zyrtar të degës së Tatim-Taksave në Durrës, pasi nga kontrolli i deklaratës së interesave private ka rezultuar se ka shkelur rregullat e deklarimit të pasurisë. 17 zyrtarët e gjobitur për vonesa në deklarimin e pasurisë, tashmë duhet të paguajnë 25 mijë lekë gjobë, ndërsa i ndëshkuari për gabim në deklarim është gjobitur me 10 mijë lekë. Inspektorati i Lartë paralajmëroi se po përgatit gjobitjen e disa zyrtarëve të tjerë, të cilët nuk i janë përgjigjur në kohë kërkesave për korrigjimin e gabimeve materiale, të vërejtura gjatë kontrollit paraprak të deklaratave të interesave private.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›