E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, prokuroria çon në gjykatë tre komisionerë

Kishin mohuar mandatin e një këshilltari të djathtë në Komunën e Zagorisë. Pretendimi: Ishte me precedent penal
Prokuroria e Gjirokastrës përfundon hetimet dhe ka çuar në gjykatë dosjen e tre anëtarëve të Komisionit të Mandateve për zgjedhjet lokale në Komunën e Zagorisë. Organi i akuzës ka plotësuar dosjen dhe tashmë komisionerët do të përballen me togat e zeza për akuzën “shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Dhimitër Vaiti (kryetar i Këshillit të Komunës së Zagorisë), Jorgo Dede dhe Miço Miho, përkatësisht përfaqësues të partive të spektrit të majtë, PS, PDS dhe PA, në Komisionin e Verifikimit të Mandateve për anëtarët e Këshillit Komunal të Komunës së Zagorisë gjatë fushatës më të fundit të zgjedhjeve lokale, ato të vitit 2007, kanë refuzuar që të lëshojnë mandatin për Jorgji Kuron, ndonëse ai kishte fituar votat për një vend në Këshillin Komunal të Zagorisë. Mohimi i mandatit është bërë me pretendimin se Kuro ka qenë i dënuar nga drejtësia dhe me precedent penal. Kërkesën për njohjen e mandatit si anëtar i këshillit komunal, shtetasi Jorgji Kuro fillimisht e ka paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër si një padi civile. Gjykata me një vendim numër 1426, lëshuar në datën 17 dhjetor të vitit 2007, ka detyruar këshillin komunal që të zbardhë mandatin e tij. Por ky vendim është rrëzuar nga Gjykata e Apelit dy muaj më pas (vendim nr. 38 datë 07.02.2008), e cila vendosi pushimin e çështjes për mungesë kompetence.
Mësojmë se Jorgji Kuro është dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë në vitin 2003, për akuzën “goditje dhe fyerje për shkak të detyrës”. Por, sipas ligjeve në fuqi, dy vjet pas kryerjes së dënimit, ai gëzon të drejtën të kandidojë dhe të zgjidhet për zgjedhjet vendore. Duke përfituar të drejtën e të qenët funksionar publik, i zgjedhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me votim nga zgjedhësit, Jorgji Kuro u ndie tepër i fyer dhe vendosi që çështjen ta ndjekë nëpër të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor. Pasi çështja u pushua si padi civile, ai vendosi të kallëzojë në prokurori, duke e shndërruar në çështje penale. Prokuroria e Gjirokastrës, pas më shumë se një vit hetimesh, pretendon se ka grumbulluar prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë e tre komisionerëve, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Prokurorët e çështjes kanë paraqitur pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kërkesën për shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të Dhimitër Vaitit, Jorgo Dedes dhe Miço Mihos. Tashmë dosja ndodhet në duart e gjyqtarëve dhe pritet që pasi të hidhet shorti, të nisë seanca e parë e procesit gjyqësor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›