Firma nuk paguhet, ndërpriten punimet në unazën e Korçës
Situata
Rruga e lënë përgjysmë, burim problemesh për banorët dhe bizneset e zonës
Punimet për ndërtimin e unazës së qytetit të Korçës janë ndërprerë prej një muaji. Shkak është bërë moslikuidimi i firmës që po punon në këtë segment rrugor nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Zyrtarisht përfaqësues të firmës nuk pranojnë mungesën e likuidimit, por e shpjegojnë ndërprerjen e punimeve me ngricat dhe temperaturat e ulëta. “Në këtë periudhë nuk mund të bëhen punime, pasi rruga është me ngrica. Moti i ftohtë dhe me lagështirë nuk lejon kryerjen e punimeve, pasi cilësia do të jetë e dobët”, thotë një nga përfaqësuesit e firmës. Ndërkaq, kryetari i Dhomës së Tregtisë të Korçës, Ilir Selenica, pohon se nga kontaktet që ka marrë me firmën ndërtuese, pezullimi i punimeve është argumentuar me mungesën e likuidimit për investimin e nisur. “Sipas konfirmimit që ne kemi pasur nga kontaktet me firmën ndërtuese, punimet janë pezulluar, për shkak se nuk është bërë likuidimi. Kjo situatë ka rënduar jo vetëm bizneset e zonës, por edhe qarkullimin në këtë segment, për shkak të punimeve të lëna përgjysmë dhe heqjes së asfaltit të vjetër”, thotë Ilir Selenica. Rruga është e mbushur me gropa, baltë, kanale të hapura dhe pa asnjë element sigurie. Rruga nuk ka tabela, gjë që e vështirëson shumë lëvizjen e mjeteve në orët e natës, duke u bërë shpeshherë burim aksidentesh. Drejtues të automjeteve që vijnë nga dogana dhe nuk e dinë që ky aks është në ndërtim, janë të parët që bien viktima. Ndërkaq, kalimi është kthyer në tmerr për ata që punojnë çdo ditë në këtë zonë dhe shpesh duhet të devijojnë rrugën për të mbërritur në destinacion. Përveç vështirësive për banorët e disa lagjeve që përfshihen në këtë segment në ndërtim, dhjetëra biznese të pozicionuara përgjatë këtij aksi, kanë pësuar rënie të aktivitetit për faktin se mjetet që provojnë këtë rrugë nuk tentojnë më kalimin, ndërsa transporti për firmat e mëdha tregtare e prodhuese krijon vështirësi të mëdha. Unaza veriore deri në daljen nga qyteti në autostradën Korçë-Kapshticë, një investim prej 300 milionë lekësh, ka dhe pesë muaj afat për të përfunduar, por vështirë se mund të respektohen afatet kur deri më tani janë kryer vetëm 20% e punimeve. Që nga fillimi i investimit, muaji gusht i vitit të kaluar, në këtë unazë është bërë vetëm prishja e rrugës ekzistuese dhe hapja e disa kanaleve.
#