Nuk dihet data kur nis dialogu

Kabineti i shefes së diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ka bërë me dije se përgatitjet për fillimin e dialogut Prishtinë-Beograd janë në fazën përfundimtare, por nuk ka bërë të ditur datën se kur ai mund të fillojë. Zëdhënësja Maja Kocijancic ka bërë të ditur se BE-ja po zhvillon konsultimet e fundit me palët.
“Ne po kryejmë raundin përfundimtar të konsultimeve para dialogut Prishtinë-Beograd. Presim që pas këtij raundi, dialogu të fillojë në javët e ardhshme”, ka thënë ajo për REL.
Prishtina tashmë ka emëruar zëvendëskryeministren Edita Tahiri në rolin e shefes së ekipit kosovar në këto bisedime. Disa zyrtarë serbë e kanë parë këtë emërim si provë se Prishtina e di se do të bisedohet për çështje politike, meqë ka emëruar zëvendëskryeministren për këtë çështje. Beogradi kohë më parë e pat emëruar Borko Stefanovicin, zyrtarin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, për kryenegociator.
Të shtunën, Stevanovic ka vlerësuar se bisedimet do të jenë të vështira, do të kenë ngritje dhe rënie dhe se do të zgjasin mjaft gjatë për të zgjidhur problemet më kryesore. Sipas tij, fillimisht do të shqyrtohen tema si liria e lëvizjes, përdorimi i telefonisë mobile, energjia elektrike, tabelat e automjeteve dhe çështja e personave të pagjetur.
“Secila çështje ka një shkallë të madhe të vështirësive dhe nuk duhet ngritur pritje jo reale. Këto do të jenë bisedime të vështira dhe do të zgjasin mjaft gjatë për të zgjidhur problemet kryesore”, është shprehur ai në një intervistë për gazetarët serbë.
Duke komentuar emërimin e Edita Tahirit për shefe të ekipit të Kosovës për dialogun, Stefanovic ka thënë se ajo është një negociatore me përvojë dhe se për këtë pret se do të ketë “mundësi për implementimin e plotë të asaj për të cilën do të dakordohemi”.
“Kam besim të plotë se nëpërmjet dialogut konstruktiv do të arrihet deri te zgjidhjet më të volitshme për njerëzit në Kosovë”, ka theksuar ai.
Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë se do të flitet vetëm për çështje teknike. “Ne jemi deklaruar se të gjitha çështjet që kanë karakter dhe relevancë teknike, do të diskutohen”, ka thënë ai.
Kabineti i shefes së diplomacisë evropiane, ndërkaq, ka bërë me dije se do diskutohen ato çështje teknike që promovojnë bashkëpunimin. Ky kabinet, që pritet të jetë lehtësues në bisedime, nuk ka dhënë datë të saktë për fillimin e dialogut.