E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të majtët dhe iraniani urojnë Ndokën

12/12/2008  PD dhe PS bojkotojnë 17 vjetorin e krijimit të PDK-së. Mungon trupi diplomatik

Ftesa ishin dërguar Sali Berishës, Valentina Leskajt e Gramoz Ruçit, të cilët munguan

Demokristianët e drejtuar nga Nard Ndoka kanë festuar 17-vjetorin e krimit të partisë të rrethuar më së shumti nga miq e të ftuar nga partitë e majta të politikës shqiptare. E pozicionuar si forcë e spektrit të djathtë politik, pritej që PDK-ja të vizitohej e të urohej më së shumti nga kolegë dhe krerë të partive të mazhorancës aktuale politike. Por gjendja e krijuar, përplasjet dhe debatet e ashpra politike mes drejtuesve të PDK-së dhe partive të tjera të djathta, në mënyrë të veçantë me lidershipin e Partisë Demokratike, ka sjellë që në ambientet e hotelit “Tirana International” vizitorët të ishin më shumë nga e partitë e majta, përveç Partisë Socialiste. Me radhë kanë uruar Nard Ndokën kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, së bashku me të tjetër zyrtarë të kësaj partie - Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi dhe Nikollaq Nerënxi. Urime për 17-vjetorin e PDK-së ka bërë edhe drejtuesi i PS-’91 Petro Koçi. Në festë ishte edhe kreu i Partisë Socialdemokrate Skënder Gjinushi dhe nënkryetari i kësaj force Engjëll Bejtaj. Ndër të djathtët kanë marrë pjesë deputeti Spartak Ngjela, i shoqëruar nga i pandashmi Gilman Bakalli. Nga PD-ja të vetmit që guxuan të merrnin pjesë në gëzimin e Ndokës ishin ligjvënësit Sali Shehu dhe Bujar Leskaj. U vu re edhe prezenca e kreut të partisë “Lëvizja për Legalitetin” Ekrem Spahia dhe njërit prej shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, Kurt Kola. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte prezenca në ditëlindjen e PDK-së të ambasadorit të iranit. Ai ka shtrënguar duart me kryedemokristianin shqiptar Nard Ndoka, duke e uruar për festën. Në këtë rast vëmendja u tërhoq më shumë nisur prej faktit se personi që ka akuzuar Kryeministrin Sali Berisha si një islamik që sulmon kristianët shqiptarë, ka marrë dje urime për 17-vjetorin e partisë që drejton nga ambasadori i Republikës islamike të Iranit.

Kush bojkotoi

Në festën e 17-vjetorit të krijimit të PDK-së nuk kanë qenë prezentë themeluesit e kësaj partie. Për shembull, Zef Bushati, i cili ka mbajtur drejtimin e partisë prej vitesh, mungonte. Po ashtu nuk ishte prezent as ish-kryetari Nikollë Lesi, i cili i pasoi Ndokës drejtimin e partisë. Mësohet se PDK-ja u kishte dërguar ftesë edhe drejtuesve më të lartë të PD-së, por përveç deputetëve Shehu dhe Leskaj askush nuk preku pragun e sallës ku demokristianët uronin njëri-tjetrin. Po ashtu të ftuar ishin kreu i Asamblesë Kombëtare të Parisë Socialiste Gramoz Ruçi dhe kryetarja e grupit parlamentar Valentina Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›