Nuk e gjykon dot lehtë figurën e Hoxhës, është komplekse
Enver Hoxha dominoi skenën politike shqiptare për gati 50 vjet, që është një periudhë relativisht e gjatë ndaj dhe gjykimi apo vlerësimi i kësaj figure nga ana politike, është kompleks dhe jo i lehtë dhe aq më tepër nuk mund të realizohet me disa rreshta komenti.
Nëse dikush ka vuajtur drejtpërsëdrejti nga regjimi i tij, pra, është persekutuar apo goditur, është e kuptueshme që ata do të kenë vetëm ngarkesa negative ndaj tij dhe shume subjektivizëm në vlerësimet që mund t’i bëjnë dhe, në fund të fundit, kjo është normale. Por, nëse do të niseshim nga një pozitë neutrale apo objektive, mendoj se duhet bërë një ndarje midis asaj se ç`bëri Enveri për veten e tij dhe ç`bëri për Shqipërinë.
Për pushtetin dhe karrigen e tij Enveri ishte një diktator i egër. Kjo as qe nuk diskutohet .
Kur vjen puna se ç`farë bëri për vendin, mendoj se Enver Hoxha kontribuoi për konsolidimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe të shtetit shqiptar, si dhe punoi shumë që të krijoheshin të gjitha kushtet, në mënyrë që shoqëria shqiptare të evoluonte si shoqëri, të emancipohej dhe të kalonte nga një nivel feudal, në atë bashkëkohor.
Ky fakt, në vetvete përbën një arritje të pamohueshme. Nëse këto do të ishin realizuar, sikur ne të kishim në krye dikë tjetër, ose një regjim tjetër apo jo, këtë s`mund ta themi, sepse kurrkush s`mund të dijë atë që s`ndodhi. Fakti është që, deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte shumë e varfër dhe e prapambetur, ndërkohë që civilizimi modern europian kishte një stabilitet prej 200 vjetësh, me e pakta.
E parë në planin personal, duhet pranuar se Enver Hoxha pati sukses. Në rininë e tij të hershme ishte thjesht një emigrant në një vend të huaj, por arriti që të kthehej në atdhe dhe të realizonte atë që mendonte, duke dominuar politikën shqiptare për 50 vjet, në kushtet historike të asaj kohe.