E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e shohin njëjtë fundin e mbikëqyrjes

Edhe pse paralajmërimet e Qeverisë thonë se përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës do të ndodh në fillim të shtatorit, opozita dhe analistët nuk e shohin me të njëjtin sy këtë çështje.

Zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndonëse e përshëndesin kalimin e Kosovës në një fazë tjetër të zhvillimit, prapë thonë se do ta kemi një mbikëqyrje të lehtë të pavarësisë, përderisa zyrtarë nga AAK-ja shpresojnë më shumë në këtë drejtim, duke thënë se Kosova në shtator pritet të hyjë në fazën e pavarësisë së plotë. Kurse drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se në shtator nuk do të ketë përmbyllje të mbikëqyrjes së pavarësisë, por do të ketë ndryshim të formës së mbikëqyrjes.

Ndërsa analistët vlerësojnë se nuk do të përfundojë mbikëqyrja, por do të përfundojë puna e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), kurse do të jenë të pranishëm mekanizma të tjerë ndërkombëtarë në vend.

Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës i ka thënë Kosovapress-it se pavarësisht se Kosova në shtator pritet të kalojë në një fazë tjetër të zhvillimit të saj, ai mendon se prapë do të ketë mbikëqyrje “të lehtë” të pavarësisë.

“Ne e dimë që do të jetë edhe një lloj mbikëqyrje e lehtë, por megjithatë, po kalojmë në një fazë tjetër të zhvillimit dhe ndërtimit të Kosovës me gjithë këto probleme që i kemi dhe duke pas parasysh faktin që ne jemi të bindur se do të ishte edhe më mirë po të mos ishte kjo Qeveri me këtë punë që po e bënë të dobët, pse jo, shpesh edhe të dëmshme karshi interesave të vendit”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se LDK-ja sërish do ta japë kontributin e saj edhe në këtë fazë, sikurse që e ka dhënë deri më tani. Sa i përket mekanizmave ndërkombëtarë që do të vazhdojnë të qëndrojnë edhe pas shtatorit me mandatin e tyre të plotë, Beqiri ka thënë se EULEX-i ende e ka vendin në Kosovë duke shpresuar, siç tha ai, në efikasitetin më të madh të punës së tyre.

Sipas Beqirit, disa edhe mund t’ia kenë frikën vazhdimit të mandatit të EULEX-it, sepse ndoshta edhe mund të jenë në mesin e atyre që mund të japin llogari për këto të këqija që po ia bën vendit. Në këtë drejtim ai ka thënë se LDK-ja nuk i frikohet mandatit të EULEX-it dhe zbulimit të të gjitha atyre krimeve dhe korrupsionit, dhe siç tha ai, pse jo edhe zbulimin e të gjitha vrasjeve politike që janë bërë pas luftës.

Por drejtues të AAK-së shprehen më optimist, sipas tyre në shtator Kosova do të hyjë në fazën e pavarësisë së plotë.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, shprehet bindjen e tij se shtatori do t’ia sjellë Kosovës pavarësinë e plotë, përderisa për praninë ndërkombëtare ka thënë se EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë me kërkesën e autoriteteve vendore, ndihmën e të cilëve e ka cilësuar ende të nevojshme.

“Si Aleancë besojmë se është një zhvillim i mirë që po ndodh, përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës dhe shpresojmë që kjo definitivisht do të ndodh në shtator dhe Kosova hyn në një fazë tjetër, atë të pavarësisë së plotë dhe normalisht me ndihmën e kërkuar nga ne të KFOR-it dhe të EULEX-it, sepse kemi nevojë edhe më tutje për sigurinë e përgjithshme, pra për KFOR-in dhe në të njëjtën kohë për sundimin e ligjit, që është mandati i Bashkimit Evropian, EULEX. Por mbikëqyrja e pavarësisë përfundon dhe kjo është një zhvillim tepër i mirë për Kosovën”, ka thënë ai për Kosovapress.

Ndërkaq drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, për dallim nga ata të AAK-së, nuk janë fare optimist se në shtator do të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visa Ymeri i ka thënë Kosovapress-it se krejt ajo që pritet të ndodh në shtator, është ndryshimi i formës së mbikëqyrjes.

“Në fakt ajo që po quhet përmbyllje e mbikëqyrjes së pavarësisë, në fakt nuk është përmbyllje e mbikëqyrjes, por është ndryshim i formës së mbikëqyrjes. Pra, po ndryshon forma, por jo domosdoshmërisht edhe mbikëqyrja si e tillë, aq më pak po ndryshojnë ato kushtëzimet që Kosova i ka, për shkak se ne do ta kemi parasysh se mbikëqyrja na është sipërvendos me planin e Ahtisaarit, pikërisht për shkak se kushtëzimet që vinin nga plani i Ahtisaarit nuk janë normale për një shtet normal”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se krejt çka po ndryshon misioni i ICO-së, është se Piter Feith më nuk do të jetë në Kosovë, dhe sipas tij, ai si person nuk ka qenë pengesë në Kosovë, por ka qenë misioni i tij, që sipas Ymerit do të vazhdojë të qëndrojë ende në Kosovë.

Për këtë çështje analistët vlerësojnë se nuk do të ketë përmbyllje të pavarësisë. Ardian Arifaj nga instituti KIPRED, ka thënë se nuk është përfundim i mbikëqyrjes, por është përfundim i një misioni, atij të ICO-së.

“Më e drejt është të thuhet se po përmbyllet misioni i ICO-së, e jo që po përfundon pavarësia e mbikëqyrur e Kosovës. I kemi ende KFOR-in, EULEX-in që kanë dy pushtete ekzekutive në Kosovë, kemi të emëruar ndërkombëtarë në institucione të rëndësishme, siç është auditori i përgjithshëm apo Gjykata Kushtetuese dhe ata do të qëndrojnë aty deri në përfundim të mandatit. Pra nuk është një përfundim i pavarësisë së mbikëqyrur, nuk është një përfundim i mbikëqyrjes, por është përfundim i një misioni që e ka mbikëqyrur implementimin e provizioneve të dala nga propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, ose pako e Ahtisarit siç njihet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se pavarësia ende është e cunguar, pasi që KFOR-i është përgjegjës për sigurinë e kufijve të jashtëm, EULEX-i ende mban pushtet ekzekutiv për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, kjo tregon një pavarësi dhe një shtetësi ende të kufizuar, e jo të plotë çfarë po pretendon politika në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se fillimi i shtatorit do të jetë koha kur do të përmbyllet mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës. Deri atëherë Qeverisë së Kosovës i mbetet ende punë për të bërë në drejtim të ndryshimit dhe miratimit të disa ligjeve në Kuvendin e Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›