E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Si minatorë, megjithëse nuk kemi qenë kurrë në minierë"

Mosekzistenca e shtetit bën që korrupsioni të ngrihet në një shkallë më të lartë dhe falsifikatorët të bëjnë punën e tyre duke i bërë njerëzit që në barkun e nënës sikur kanë punuar nëpër miniera dhe tani të gëzojnë pension të plotë si minatorë, pa e ditur se çfarë është miniera.

Ndërsa minatori i vërtetë që ka kaluar jetën e tij në nëntokë, domethënë i varrosur për së gjalli, dergjet nëpër spitale për t'u kuruar nga mbetjet toksike të minierave apo lufton me të drejtën e tij për të nxjerrë pensionin që ta gëzojë derisa është gjallë. Minatorët janë shtresa më e përvuajtur e shoqërisë shqiptare, shtresa më e lodhur që shteti e ka lënë pas dore prej kohësh. U premtuan që do të ulnin moshën e pensionit, do të kishin një status të veçantë dhe do të kishin një pension më të lartë se çdo shtresë tjetër, por deri tani asgjë. Si është e mundur që shteti shqiptar u dha status ushtarakëve që kanë punuar mbi tokë dhe minatorit nuk i dha asgjë dhe e flaku tutje?

Sipas moshës aktuale të pensionit, minatorët nuk do të arrijnë kurrë të gëzojnë pensionin e tyre sepse mosha mesatare e minatorëve që kanë jetuar shkon deri në 60 vjeç, ndërsa pensionin e përfitojnë në moshën 65 vjeç, sipas ligjit aktual. Mos vallë shteti shqiptar do të luajë me fatin e tyre derisa dheu t'i mbulojë?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›