E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk i shpëton atentatit të dytë, vdes nga 11 plumba

28/12/2008  Vritet për pazaret e drogës edhe e ëma e 32-vjeçarit Deliu, gruaja mbeti gjallë

TIRANE - Vrasja e dyfishtë tronditi kryeqytetin në prag të festës së ndërrimit të viteve. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme afër Fakultetit Juridik, kur rreth orës 15:00 shtetasit Flutura dhe Elton Deliu janë vrarë në pallatin e tyre nga dy persona ende të paidentifikuar nga policia e Tiranës. Dy viktimat janë nënë e bir dhe në çastin e ekzekutimit ishin duke ngjitur shkallët e pallatit, që ndodhet mbrapa godinës së Presidencës. Burime pranë komisariatit nr. 2 thanë se para ekzekutimit autorët e krimit kanë debatuar me fjalë, por pas këtyre të fundit ata kanë qëlluar pa mëshirë në drejtim të 32-vjeçarit Elton Deliu dhe më pas drejt nënës së tij, 52-vjeçares Flutura Deliu, e cila ka mbetur e vdekur në vend. Mësohet se 32-vjeçari është qëlluar 11 herë më armë nga ana e tyre, 6 herë në trup dhe 5 herë në kokë. Megjithëse shumica e plagëve të rënda ndodheshin në kokë, i riu Elton Deliu ka mundur të jetojë për disa minuta, por gjatë transportimit për në spital ai ka humbur jetën.

Dëshmitarja

E vetmja që ka mundur t’i shpëtojë ekzekutimit është bashkëshortja e viktimës Elton Deliu, e cila në çastin që autorët kanë nxjerrë pistoletat, ka hyrë në apartamentin e saj, që ndodhet në katin e 6-të të pallatit. Sipas deklarimeve të pakta që ka dhënë në polici, bashkëshortja e 32-vjeçarit të vrarë ka pohuar se gjatë të shtënave nuk ka dëgjuar krisma. Gjithashtu këtë dëshmi e provojnë edhe deklarimet e komshinjve, të cilët gjatë marrjes në pyetje nga efektivët e policisë thanë se nuk kanë dëgjuar të shtëna arme. Nisur nga këto të dhëna, specialistët dolën në konkluzionin se krimi është kryer me pistoleta me silenciator. Krimi makabër është vënë re kur të afërmit e familjes Deliu nxorën me shpejtësi nga apartamenti viktimën Elton Deliu. Pamjen e jashtme të këtij të fundit mbuluar me gjak dhe tronditjen psikologjike të personave që ndodheshin aty nuk e ka lënë pa e parë edhe një efektiv i Gardës së Republikës, i cili kryente shërbimin pranë godinës së presidencës.

Hetimet

Menjëherë pas këtij konstatimi ky i fundit ka lajmëruar menjëherë policinë e Tiranës, efektivët e së cilës kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që pas marrjes së këtij informacioni janë vënë në lëvizje edhe patrullat e përgjithshme, që kanë bërë bllokimin e të gjitha segmenteve rrugore të zonës përreth. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur drejtori i policisë së Tiranës Hamdi Fjora, drejtuesi i departamentit të hetimit të krimeve të rënda Agron Kulicaj dhe specialistë të tjerë. Këta të fundit janë ngjitur në katin e gjashtë, ku ndodhi vrasja, duke sekuestruar në cilësinë e provës materiale vetëm gëzhojat e plumbave të pistoletave. Atentatorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë identifikimi, por vetëm dy kufomat e mbuluara nga gjaku. Policia bëri të ditur se Elton Deliu ishte një person me precedent të rëndë kriminal dhe vrasja e dyfishtë mendohet të ketë ndodhur për larje hesapesh. Nga hetimet e kryera ende nuk janë mësuar motivet e kësaj ngjarje të rëndë, por policia nuk përjashton pistën e hakmarrjes për shkak të prishjes së pazareve për drogën. Aktualisht vazhdojnë hetimet lidhur me këtë ngjarje tronditëse. Policia nga të dhënat e dëshmitarëve ka arritur të nxjerrë të dyshuarit e parë të kësaj vrasje të dyfishtë, por emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimi të mëtejshëm. Për të hedhur sa më shumë dritë mbi vrasjen e Flutura dhe Elton Deliut efektivët presin dëshminë e plotë të bashkëshortes së 32-vjeçarit Deliu, e cila tashmë ndodhet në gjendje jo të mirë psikologjike.

Dëshmitë e fqinjëve

“Ishin njerëz të mirë e të sjellshëm”

TIRANE- Ekzekutimi në mënyrë tragjike i dy shtetasve Flutura dhe Elton Deliu është përjetuar me shumë dhimbje nga komshinjtë. Pas marrjes së lajmit të hidhur ata kanë shpejtuar të shikojnë se çfarë kishte ndodhur në katin e 6- të, në të cilin banonte familja Deliu. Kush e kishte parë Fluturën e shtrirë në korridor, kush tjetër kishte parë djalin e saj, Eltonin, që po e çonin në spital, secili prej tyre tregon në mënyrë të dhimbshme skenën e krimit. Një banor nga Skrapari, që vitet e fundit banonte në këtë pallat të kryeqytetit, tregon se me Elton Deliun dhe nënën e tij Fluturën kishte shumë komunikim. Ai përjashton çdo mundësi se Eltoni është vrarë për çështje droge. Sipas tij, 32-vjeçari Deliu dhe familjarët e tij ishin pronarë të një lokali dhe nuk ishin në atë gjendje sa të lejonin që djali i tyre të merrej me veprimtari kriminale. Me gjithë këto prova, për komshiun e tij Eltoni ka qenë një djalë tepër bujar dhe i dashur. Sipas një banori tjetër, Eltoni nuk ka shfaqur asnjëherë veti kriminale në lagje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›