E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrumbohet 1 magazinë fishekzjarrësh dhe dy ushqimore

28/12/2008  Ngjarja e rëndë ndodhi afër fabrikës së miellit Tiranë

TIRANE- Tre magazina janë mbuluar nga flakët pasditen e djeshme afër fabrikës së miellit, tek ish-stacioni i fundit i Tiranës së Re. Mësohet se një nga magazinat ishte e mbushur me fishekzjarrë dhe dëmet financiare në të kapin shifra të mëdha, të cilat pas përfundimit të zjarrit do të përllogariten nga administratorët e biznesit. Sipas dëshmitarëve okularë, flakët e parë të zjarrit janë parë rreth orës 17:30, ku pas këtij konstatimi është lajmëruar menjëherë reparti i zjarrfikëseve. Këto të fundit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por në momentin e mbërritjes së tyre flakët kishin marrë përmasa të mëdha, duke bërë që mundësitë e shuarjes së zjarrit pa shkaktuar dëme materiale, të jenë të vakëta. Megjithëse flakët kishin përfshirë të gjithë sipërfaqen e tre magazinave, ato janë mundur të vihen nën kontroll falë punës intensive të tre zjarrfikëseve të Tiranës. Si pasojë e këtij zjarri të rëndë, është shkrumbuar plotësisht një nga magazinat e mbushura me fishekzjarrë, ndërsa në dy magazinat ushqimore zjarri nuk është përhapur plotësisht pasi zjarrfikësit me ndihmën të shiut që filloi ato momente kanë vënë nën kontroll atë. Aktualisht dyshimet e para janë që flaka të ketë rënë si rezultat i një shkëndije elektrike. Ndërkohë që brenda harkut kohor të një muaji, biznese të tëra janë shuar nga flakët. Nuk dihet nëse zjarret janë të qëllimshëm për efekt të konkurrencës apo aksidentalë. Zjarret që shkrumbuan dy firmat “Ardeno” dhe “Henri 2000" përgjatë autostradës Tiranë-Durrës në datën 7 dhjetor dyshohet se janë vënë për motive konkurrence dhe nga të njëjtët persona të interesuar për të shkatërruar dy bizneset. Por, deri më tani Prokuroria nuk ka ndonjë të dyshuar konkret, pasi nuk është gjetur ndonjë gjurmë, për shkak se të dyja ndërtesat janë shkrumbuar totalisht. Në versionin zyrtar, zjarret që shkrumbuan mobilierinë “Ardeno” dhe firmën me pajisje hidro-sanitare “Henri sh.p.k”, janë klasifikuar si “zjarre të shkaktuara si pasojë e shkëndijave elektrike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›