PD-ja e ka hapur fushatën
27/05/2009 Partia Demokratike e quan të kryer hapjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Zyrtarë të lartë të kësaj force politike kanë bërë me dije se zhvillimi i Konventës Kombëtare të partisë të shtunën e kaluar në Pallatin e Kongreseve, si dhe prezantimi nga ana e kryetarit të PD-së Sali Berisha të 140 kandidatëve për deputetë një ditë më pas përbënin hapjen zyrtare të fushatës elektorale. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike ka devijuar disi nga tradita e të gjitha forcave politike kryesore në vend të zhvillimit të një mitingu të përmasave gjigante në një ndër sheshet kryesore të kryeqytetit. Faktikisht në çdo pragfushate PD-ja ka mbajtur mitingun e hapjes së saj në sheshin kryesor të Tiranës, “Skënderbej”. Të njëjtën gjë ka bërë edhe në rastin e mbylljes së saj. Ndërkohë burime pranë PD-së bëjnë me dije se takimet e lidershipit të partisë në qarqe të ndryshme të vendit do të quhen hapje fushate zgjedhore, duke prezantuar kandidatët për deputetë për qarkun përkatës.