E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha mohon kategorikisht ndërtimin

27/05/2009  Centrali bërthamor

Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet nga Partia Socialiste dhe më pas protestat e lindura prej tyre se në afërsi të qytetit të Shkodrës do të ndërtohej një central bërthamor. Gjatë përurimit të fillimeve të ndërtimeve të hidrocentralit të Ashtës në Bushat, investim i kompanisë austriake “Verbund” prej 160 milionë euro, Berisha la të kuptohej se nuk do të ketë asnjë central bërthamor. “Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, ky ka qenë centrali nuklear që Sali Berisha do të ndërtonte për Shkodrën”, - deklaroi kreu i qeverisë. Ai theksoi se kjo vepër është jashtëzakonisht e rëndësishme në sistemin energjetik shqiptar dhe që ndërtohet nga një prej kompanive lider në fushën e hidrocentraleve në Europë. Sipas tij, projekti i këtij hidrocentrali respekton në mënyrë të shkëlqyer ekologjinë dhe ujërat e këtij rajoni. Kryeministri Berisha ka deklaruar se me këtë përurim hapet sipari i fillimeve të punimeve në 104 hidrocentrale, që do të fillojnë nga ndërtimi brenda një viti. “Këto janë vetëm disa nga projektet tona për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi të vërtetë rajonale energjetike. Ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›