E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk ka për të më dalë shpirti pa derdhur lot mbi varrin e tim biri”

“I kam thënë vdekjes tutje sa të hedh lotin e parë mbi varrin e djalit, që tretet në dhe’ të huaj. Po shkoj avash - avash 100 vjeçe dhe vdekja po më rri larg. Kam 50 vjet që e kërkoj tim bir...” 

Afrim Imaj

Zëri i hollë i plakës së veshur me të zeza, që rri në krye të dhomës për një çast duket sikur meket. Po kjo vetëm për disa sekonda, aq sa i duhet të marrë frymë thellë e të ngashërehet në shpirt për të filluar përsëri rrëfimin për të birin, eshtrat e të cilit treten në ish-Bashkimin Sovjetik. “E nisa të vogël e nuk e takova kurrë. Askush s’më pruri të paktën një gur nga varri i tij”. Sakaq, Nasipe Xhani kapërcen disi brengën dhe i kthehet historisë për dramën e të birit, Islamit. I ka ikur 13 vjeç nga shtëpia në Kajcën e Përmetit, për t’u bërë në fillim skënderbegas e mandej është gjendur në Rusi në shkollën e aviacionit. Deri te lajmi fatal, nënës i kanë shkuar te strehëza e largët buzë Vjosës, vetëm vlerësime të shkëlqyera. “Islami i nënës m’i bëri supet mal”. Kujton për një çast Nasipja ditët më të mira së të birit. Gjithsesi, jeta do t’i rezervonte fatin e keq dhe ai do të ikte papritur.
Do të ikte kur sa kishte mbushur të njëzetat. Më tej nëna e pilotit, eshtrat e të cilit prehen në Rusi tregon kalvarin e peripecive 50-vjeçare për riatdhesimin e tyre, momentet e mbërritjes së lajmit për vdekjen e tij, mortin pa xhenaze, vitet e gjata të pritjes plot brenga dhe shpresën se nuk ka për t’i mbyllur sytë deri sa të lotojë mbi varrin e Islamit. Gjatë gjithë bisedës për të birin, në apartamentin e saj modest në katin e gjashtë të një pallati diku në skaj të bllokut “Vasil Shanto” në Tiranë ka dëshirë të mbajë në prehër fotografinë e tij me uniformën e pilotit. Hera-herës e kthen nga vetja dhe vazhdon ta puthë duke belbëzuar fjalët “Islami i nënës”, “i miri i nënës”...
Nënë Nasibe! Si u gjend djali juaj Islam Xhani në Bashkimin Sovjetik?
E morën nga Shkolla “Skënderbej” ku studionte për t’u bërë oficer dhe e çuan në Bashkimin Sovjetik. E tillë ishte koha atëherë. Ata që shkëlqenin në mësime vazhdonin jashtë shtetit për profesione të ndryshme. Iku Islami i nënës bashkë me shokët e tjerë për t’u bërë pilot. Atëherë kishim marrëdhënie vëllazërore me Moskën. Para se të ikte erdhi një natë në shtëpi në Kajcë të Këlcyrës. Erdhi, u çmallëm dhe të nesërmen iku. Na tha se do të shkonte jashtë shtetit në një akademi ushtarake për të studiuar për pilot. Më puthi kur u ndamë e më tha mos të mërzitesha se do na shkruante letra. Dhe ashtu bëri. Sa mbërriti e u rregullua në shkollë na nisi letrën e parë...
A të kujtohet çfarë ju shkruante në letrat që dërgonte nga Bashkimi Sovjetik?
Ai shkruante se ndjehej mirë dhe se kishin kushte të mrekullueshme. Na pyeste për të gjithë. Bashkë me letrat na dërgonte edhe fotografi. Dukej i bukur, shumë i bukur me uniformën sovjetike të pilotit. I merrte nëna dhe i puthte me mall. I ruaj edhe sot ato fotografi si sytë e ballit.
Ju shkruante gjithmonë...
Deri ditën që vdiq nuk na i ndërpreu letrat asnjëherë. Na thoshte se shumë shpejt do të kthehej pilot në Shqipëri. Se do të vinte një ditë që me avionin e tij do të fluturonte mbi Kajcë. “Qepi fort tjegullat e shtëpisë, se kam për t’i arratisur”, e ngacmonte të atin, Myrtezain. Na thoshte se ishte njohur me një vajzë të bukur. Me një vajzë nga Moska me emrin Katjusha. Na dërgoi edhe një fotografi të saj...
Sa kohë vazhdoi studimet në Rusi?
Kur vdiq ishte duke përfunduar shkollën. Punë ditësh dhe do të kthehej i diplomuar. Nuk e deshi fati t’i kthehej nënës pilot. Iku i ri, fare i ri. Sa kishte mbushur 20 vjeç...
Kur e morët vesh lajmin për vdekjen e Islamit?
Po atë ditë erdhi lajmi i zi, manata e Islamit, siç i themi nga anët tona. Ishte korrik, një ditë e nxehtë dhe e zymtë.
E keqja të gjetka sado larg që të jesh. Ç’të të them. Nuk doja ta besoja. Tek numëroja ditët me gishtërinjtë e dorës për t’u përqafuar me të, më këputi në mes ajo që na thanë...
U kujtohet kush ua solli lajmin në Kajcë?
Lajmi në fillim kishte shkuar në Komitetin e Partisë në Përmet. Prej aty kishin lajmëruar tim shoq Myrtezain që atë ditë ishte në Këlcyrë. Pastaj erdhën dhe na thanë në shtëpi në fshat. E mbaj mend mirë. Sa ishte zbardhur kur na prunë haberin e tmerrshëm. E hapa vetë derën kur erdhën mysafirët e tronditur. Kur i pashë të prerë në fytyrë e parandjeva se diçka kishte ndodhur. Zemra ma ndjeu se Islami..
Cili ishte i pari që iu dha lajmin e kobshëm për Islamin?
E kam si tani parasysh atë moment të tmerrshëm. Ishte gjëmë e kaluar gjëmës. Trokiti dera dhe nxitova ta hapja vetë. Në krye ishte tim shoq, pas tij rreth 20 veta. Të gjithë zyrtarë të rrethit. Në heshtje e me kokën poshtë kapërcyen pragun. I pari hapi gojën Myrtezai. Bëhu e fortë, më tha, pastaj shqiptoi emrin e Islamit. Oh, jo mos, i thashë dhe i vura dorën te buzët. Nuk doja ta besoja. Nuk e afron kurrë zemra e nenës gjëmën e të birit. Ja që ajo kishte ndodhur. Islami i nënës, shpirti i nënës, bërtita dhe rashë në gjunjë. Nuk dija ç’të bëja. Im bir kishte ikur në lulen e rinisë. Iku pa mbaruar së rrituri...
Mbani mend si ua shpjeguan rrethanat në të cilat kishte ndërruar jetë Islami?
Na thanë se Islami kishte mbetur pa ndjenja gjatë një stërvitje në ujërat e një lumi në afërsi të Moskës. Vetëm kaq kishin njoftuar zyrtarisht Komitetin e Partisë në Përmet. Rrethana të tjera nuk mësuam asnjëherë. Sidoqoftë ne prisnim me ankth të bënim ceremoninë e varrimit...
Me sa dimë ceremonia e varrimit të Islamit është bërë në Rusi...
Atë ditë që na njoftuan për vdekjen e tij, askush nuk na sqaronte për mënyrën se si do të bëhej varrimi. Të gjithë prisnim me ankth momentin, kur do të na sillnin trupin e pa jetë për të bërë ceremoninë mortore sipas zakoneve tona. Me dhjetëra e qindra miq e të njohur qëndruan pa ndërprerje dy ditë e dy net, duke pritur bashkë me ne lajmin për kthimin e trupit të Islamit. Në krye të tre ditëve na thanë se ishte varrosur në Moskë. Nuk e di pse kishin vepruar kështu, po nga sqarimet që na bënë mësuam se për katër vjet eshtrat e Islamit do të vazhdonin të qëndronin në Rusi. Vetëm pas katër vitesh, na thanë do të bëhej zhvarrimi dhe ato do t’i sillnin për t’u prehur në Shqipëri...
Kaluan katër vite...
Unë e di si i kam jetuar katër vitet e pritjes. Më dukej sikur im bir do më kthehej i gjallë. Po nuk ndodhi asnjëherë ajo që prisja. Fati i keq i tij dhe yni bashkë që ato vite u prishëm me Rusinë e Hrushovit. Ndarja me të do të rrëzonte si shumë gjëra të tjera edhe premtimin për të kthyer eshtrat e tim biri. Kjo për ne do të ishte një tjetër vdekje...
Që atëherë e deri tani nuk keni marrë ndonjë përgjigje?
Në periudhën e komunizmit as që bëhej fjalë të kërkoje ndonjë gjë, qoftë edhe eshtra nga Bashkimi Sovjetik. Më shumë se të marrë, të shpallnin armik. E vetmja provë ishte kërkesa që bëmë në ambasadën kineze në Tiranë. Atëherë Kina kishte lidhje me Rusinë. Fillimisht na premtuan kinezët. Po qëlloi përsëri fati i keq. Kur kishim filluar bisedimet me ta, Enveri u dha një shkelm marrëdhënieve me Pekinin dhe çdo gjë mbeti me kaq. Mbeti pa shpresë kthimi i Islamit...
Po në vitet e demokracisë kur u rivendosën marrëdhëniet me ish-Bashkimin Sovjetik, keni bërë përpjekje për të riatdhesuar eshtrat e Islamit?
Kemi bërë, por nga të gjitha zyrat e shtetit nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Na janë gjendur më të gatshëm shokët e Islamit nga Rusia. Para disa vitesh ata kanë sjellë në ambasadën e Rusisë në Tiranë të gjithë dokumentet për vendndodhjen e varrit të Islamit dhe të dy shokëve të tij.
I kam shkruar vetë zotit Berisha qysh kur ishte president e tani kryeministër, po me sa shikoj nuk ja çojnë letrat. E gënjejnë, them me vete...
Dhe vazhdoni të prisni me shpresë se një ditë...
I kam thënë vdekjes tutje sa të hedh lotin e parë mbi varrin e djalit, që tretet në dhe të huaj. Dhe shpresoj se do t’ia arrij. Ka 50 vite kështu. Unë avash-avash vete 100 vjeçe. Le të bëjnë vitet punën e tyre, unë kam punën time. Kam menduar edhe vetë si mund ta realizoj atë që e kam peng...
Si keni menduar ta realizoni këtë?
Ja ta shpjegoj unë këtë. I themi ne shqiptarët tjetrit kur e varrosim të qoftë i lehtë dheu i babës. Islami im mbeti larg e dheu i babës u bë i pamundur për t’i qenë pranë. Nuk më përgjigjet shteti im të më ndihmojë për ta sjellë këtu. Atëherë bujrëm. Shkoj unë në Rusi. Ditët e Perëndisë i kam bërë. Më duhet vetëm të blej një copë tokë në krahë të varrit të tim biri dhe pastaj t’u lë amanet të tjerëve të më varrosin aty. Të jem me Islamin. T’i jem pranë që t’i thonë të qoftë i lehtë dheu i nënës...
vijon nesër...

Nëna e skënderbegasve

Nasipe Xhani gruaja njëshekullore që pret me ankth rikthimin e eshtrave të djalit nga Rusia, ka pasur një lidhje të veçantë me uniformën ushtarake. Katër djemtë e saj janë rritur, burrëruar e janë thinjur në profesionin e oficerit. “Isha e lumtur atëherë, thotë ajo, kur më thoshnin nëna e skënderbegasve”. I pari ka kapërcyer postbllokun e fidanishtes së dikurshme të ushtrisë Islami, djali i madh që më vonë do të binte në krye të detyrës në ish-BS. Pas lajmit të kobshëm për humbjen e tij do të vishte uniformën e skënderbegasit djali i dytë Musai, pastaj dy djemtë e tjerë Murati e Shuaipi. Ecuria e tyre në karrierën ushtarake, ka qenë krenaria e nënë Nasipes. Me sytë e nënës ajo i ka ndjekur kudo që shërbyen në Berat, Korçë, Tiranë apo në Malësinë e Madhe dhe është lumturuar nga vlerësimet e mira që ka dëgjuar për ta.

Letër
I nderuari Zoti Berisha
Shumë të rëndë e kam kur shkruaj dhe kërkoj “Eshtrat e djalit”. Vetëm këto më kanë mbetur nga im bir 19-vjeçar Islam Xhani, student aviacioni rënë në krye të detyrës në vitin 1958 në Borisogleps Rusi. Unë nëna e tij, Nasipe Xhani kam 48 vite që kërkoj që këto eshtra të kthehen në Atdheun e tij, dhe asnjë përgjigje zyrtare. Varri i tij ka dy vjet që më është konfirmuar zyrtarisht nga gjenerali i Forcave Ajrore Astrit Jaupi se ekziston dhe me fotografi. Po asnjë përgjigje nuk më jepet se kur do të kthehet në atdhe im bir. Babai im u pushkatua para fëmijëve të tij dhe u quajt armik i popullit nga komunistët, po plumbi që e mori ishte më i ëmbël se plumbi që copëton zemrën time sa herë që ju shkruaj letra, flas në televizorë dhe gazeta këtë fjalë shumë të rëndë për një nënë “Eshtrat e djalit tim”, të cilit i është dhënë titulli “Dëshmor i Aviacionit”. Ndihem shumë e lënduar që pas vitit 1990 zëri im nuk dëgjohet, asgjë nuk i kërkohet shtetit, veçse i dhashë një djalë 19 vjeç të shkëlqyer në mësime me ëndrrën e tij për të fluturuar në qiellin e Shqipërisë për t’i shërbyer pikërisht Atdheut. Zoti kryeministër, dëgjoje këtë zë nëne, këtë dhembje, këtë zë fëmije që përditë më thotë: “Nënë a do më presësh?” Nuk di si t’i përgjigjem. Jam mbi 90 vjeçe dhe nuk do të mund të shkruaj dot më.
Me respekt
Nëna e dëshmorit të Aviacionit
Nasipe Xhani
Tiranë 28.3.2006

neser do te lexoni

Rrëfimi i pilotit veteran Flamur Micko: Si e njoha Qemal Mërtirin aviatorin nga Tragjasi që u vra në Siberi.

Të pathënat e varrimit pasditen e 14 tetorit 1951 në Novisibisk.

Historia e Natashës vajzës së gjeneralit që ruajti varrin e pilotit nga Tragjasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›