E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka ulje denimi per Konten

Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga starti i sezonit të ri në Serinë A, në Itali tema e ditës vazhdon të mbetet skandali i basteve që tronditi sportin më popullor përtej Adriatikut. Kjo edhe sepse ka ardhur vendimi zyrtar i Apelit, përsa i takon emrave të njohur të përfshirë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në çështjen e paracaktimit të rezultateve.

Në këtë mënyrë, ka mbetur në fuqi skualifikimi me 10 muaj i dhënë për trajnerin e Juventusit, Antonio Konte. Tekniku bardhezi nuk ka përfituar ulje të dënimit, ndërsa tashmë ai do të vazhdojë betejën ligjore në Gjykatën Italiane të Arbitrazhit Sportiv, që është edhe shkalla e fundit e gjyqësorit.

Konte ishte skualifikuar sepse nuk kishte denoncuar trukimin e ndeshjeve Novara-Siena dhe Albinolefe-Siena, të luajtura në kampionatin 2010-2011 në Serinë B. Në Apel, ndaj Kontes ranë akuzat për takimin Novara-Siena, por u konfirmuan ato për ndeshjen tjetër, atë me Albinolefen.

Ndërkohë, është konfirmuar rënia e akuzave për dy lojtarë të Juventusit, Leonardo Bonuçi dhe Simone Pepe, që mund të vazhdojnë karrierën pa problem. Akuzat kanë rënë edhe ndaj Marko Di Vaios, ish-lojtarëve të Barit, Nikola Belmonte e Salvatore Masielo dhe ndaj klubit të Udinezes.

Ndihmësi i Kontes, Anxhelo Alesio ka përfituar uljen me dy muaj të dënimit, ndërkohë që është konfirmuar zbritja një kategori më poshtë e Leçes, që tashmë do të jetë e detyruar të luajë në Ligën Pro.

Mes dënimeve të tjera është konfirmuar edhe skualifikimi me 6 muaj i lojtarit të Bolonjës, Portanova, edhe ky i akuzuar se nuk i ka denoncuar tentativat për trukimin e ndeshjeve në skandalin e basteve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›