Nuk mbrohen sa duhet viktimat e dhunës

Ndonëse në Kosovë ekzistojnë mekanizmat për mbrojtjen e viktimave të dhunës, funksionimi i tyre ka ngecje. Kështu vlerësojnë OJQ-të, të cilat merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës. Raportohet se në të shumtën e rasteve viktimë e dhunës në familje, është gruaja, derisa shqetësim paraqet edhe mos raportimi i dhunës nga ana e tyre.
Organizata të ndryshme jo qeveritare të cilat merren me mbrojtjen e viktimave të dhunës, kanë identifikuar disa faktorë të cilët pengojnë funksionimin e mekanizmave mbrojtës.
Mungesa e fondeve për strehimoret, infrastruktura e mangët për punëtorët social, ndihma ligjore jo adekute, kanë ndikuar që gratë të cilat përjetojnë dhunë në familje, ndonjëherë edhe të mos e raportojnë atë Feride Rushiti nga organizata për mbrojtjen e të mbijetuarve të torturës.
“Për burrat paguhet avokati i tillë sa arrihet me u shit toka,traktori etj. Ndërsa për gruan askush nuk shet se s’ka pronë, s’ka trashëgimi edhe fatkeqësisht shumë herë i ofrohet ndihmë ligjore që është solide mos të them edhe hiq funksionale për faktin që shumë herë i mbron interesat e më të fortit. Kështu që gratë as nuk guxojnë t’i adresojnë këto çështje”, tha Rushiti për Radio Kosovën.
Ri-integrimi i viktimave në strehimore prej 6 muajsh është i shkurtër kurse gjyqësori jo shumë efektiv, konsideron Gjyljeta Devolli nga OSBE-ja.
Përkundër vërejtjeve që i bëhen gjyqësorit, Mahir Tutuli nga Gjykata Komunale e Prishtinës, tha se të gjitha rastet në këtë gjykatë janë zgjidhur brenda afatit ligjor.
“Në Gjykatën Komunale të Prishtinës gjatë vitit 2012 janë paraqitur 54 raste. Të gjitha rastet janë përfunduar brenda afateve ligjore, nuk kemi asnjë rast që është tejkaluar afati i paraparë ligjor”, theksoi ai.
Në Institucionin e Avokatit të Popullit thonë se përveç mekanizmave mbrojtës të viktimave, institucionet e vendit duhet të mendojnë edhe për parandalimin e kësaj dukurie./Indeksonline/