Nuk mjaftohen që i vranë, u djegin dhe shtëpinë. Po policia ku është?
Autorët e vrasjes së 46-vjeçarit Frederik Marku në Shkodër dhe djalit të tij, duket se nuk janë mjaftuar me kaq. Gjatë paradites së sotme, ata kanë djegur edhe shtëpinë e pushimit që kishin ata në Theth, si dhe një makinë të parkuar para shtëpisë.
Lajmi bëhet i ditur nga ana e policisë së Shkodrës, e cila pohoi se orët e para të ditës se ka marrë një njoftim për djegien e shtëpisë. Asaj i është hedhur benzina dhe më pas është djegur, por për fat brenda saj nuk ka pasur njerëz, për shkak të ngjarjes së ndodhur ditën e enjte.
Frederik Marku u vra pasditen e së enjtes, menjëherë sapo doli nga policia, pasi kishte bërë një denoncim për kërcënimet e marra. Në atentatin ndaj tij mbeti i plagosur edhe i biri, 22-vjeçari Jurgen Marku, i cili nuk mbijetoi dot dhe ndërroi jetë ditën e sotme.
Sipas hetimeve, mendohet se autorët e vrasjes kishin hyrë në konflikt me të, pasi i kishin ngacmuar vajzë.
Hakmarrja e tyre nuk ka rënë vetëm me vrasjen e tyre, por tashmë u kanë djegur edhe shtëpinë.
Lind pyetja, po policia ku është? Jo vetëm që nuk i parandaluan dot vrasjen, pavarësisht denoncimit të marrë, por tashmë lejojnë edhe akte të tilla terrorizuese.