E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thirrë-Kalimash, rregullohet rruga mbi tunel

“Bechtel-Enka” ndërhyn në “mbikalim” për të shmangur presionin për hapjen e galerive

Hapet mbikalimi i tunelit të Kalimashit. Shkrirja e dëborës, si dhe shtimi i nevojës së komunikimit të shpeshtë me mjete teknike nga njëri skaj i tunelit në tjetrin, ka detyruar kompaninë “Bechtel-Enka” të riparojë mbikalimin në mal. Burime të kompanisë bëjnë të ditur se për një javë pa ndërprerje, fadromat dhe makineritë e rënda kanë punuar për të sistemuar mbikalimin, për ta shtruar me zhavorr e për ta bërë të kalueshme për automjetet. Qëllimi i hapjes së këtij mbikalimi, siç tregojnë burime të “Bechtel-Enka”, ka qenë shkurtimi i distancës ndërmjet Kukësit dhe Tiranës edhe për vetë punëtorët e firmës ndërtuese. Këto ditët e fundit, që kanë mbetur deri në hapjen e tunelit, që pritet në mes të muajit maj, në shumicën e orarit nuk është e mundur që tuneli të përshkohet, sepse aty pengohet puna dhe për më tepër duhen angazhuar edhe shoqërues. Edhe pas vendimit të një muaji më parë të kompanisë, për të bllokuar çdo kalim në tunel deri në hapjen e plotë të tij, asnjëherë nuk kanë munguar rastet e kalimeve, për shkak se ndërhyrja bëhej deri te dikasteri qendror dhe se një numër njerëzish kanë abuzuar edhe me rastet e urgjencave shëndetësore, jo gjithnjë reale.
“Kemi pasur shumë kërkesa dhe presion për të kaluar në tunel sa na e kanë bërë të mërzitshme punën. Një kalim i një të sëmuri, pushtetari apo biznesmeni na ka detyruar t’u kushtohemi duke prishur punën tonë”, ka thënë menaxheri Sali Alkan, duke shtuar se ia vlente barra qiranë të shpenzohej për të hapur mbikalimin qoftë edhe për një muaj e gjysmë.

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit ka pohuar faktin se ditën e hënë ka kaluar me fouristradë pikërisht në mbikalimin e Kalimashit. Ai shtoi me këtë rast se gjatë një takimi me menaxherin e tunelit, i ishte kërkuar ndihmë nga ky i fundit, që në mbikalim të mos lejoheshin kamionët e tonazhit të rëndë. Kjo si masë për të mos bllokuar kalimin e mjeteve të tjera, por edhe për të mos prishur rrugën. Ky mbikalim nuk është një rrugë shumë e konsoliduar, madje as e shënuar diku në hartën e rrugëve të vendit, as si një rrugë fshati, por me sistemimin e fundit që i ka bërë “Bechtel-Enka” është bërë e kalueshme, ndonëse me vështirësi. Ndërkaq, prefekti i Kukësit, Elez Maçi, tha se kishte kaluar në mbikalim. “Mbikalimi është riparuar, në disa vende ka edhe spostim të trasesë dhe mendoj se furgonët dhe fuoristradat kalojnë pa shumë vështirësi”, tha prefekti Maçi. Rruga është bërë e sigurt dhe në të mund të kalojë çdo furgon pasagjerësh apo fouristradë pa pasur nevojë për zinxhirë apo për rimorkim, siç ka ndodhur gjatë vjeshtës dhe dimrit, para se zona të bllokohej nga dëbora. Mbikalimi është i gjatë rreth 14 km dhe lidh dy skajet e tunelit nga Kalimashi në Thirrë, duke bërë që distanca Kukës-Tiranë të shkurtohet me 60 km dhe koha të reduktohet nga 8 në 2 orë. Udhëtarët e Kukësit dhe të Kosovës, por edhe të gjithë të tjerët mund të arrijnë Tiranën në një kohë shumë të shkurtër në krahasim me udhëtimin e mundimshëm nga Puka, ndonëse për momentin vetëm me furgonë dhe mjete të vogla. Por gjithsesi, duke pasur parasysh faktin që kanë mbetur edhe 45 ditë deri në hapjen e tunelit, mund të thuhet me siguri se ndodhemi para një momenti që do të shënojë ndryshimin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›