E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët padisin firmën e autostradës Levan-Vlorë

Fier

Firma “Albana Tirana” paditet në prokurori nga punëtorët e autostradës Levan-Vlorë. Shkak është bërë mosmarrja e pagës për më shumë se 10 muaj, ndërkohë që kanë kërcënuar me përshkallëzim të formës së reagimit, deri në futjen në grevë urie. 75 punonjës të firmës “Palmir” dhe të firmave të tjera, të cilat janë nënkontraktore të firmës “Alban Tirana”, i janë drejtuar mëngjesin e së hënës Prokurorisë së Fierit. Ata drejtoheshin nga pronari i firmës, Përparim Gropa, i cili ka deklaruar se do të mbështesë punonjësit e tij edhe nëse marrin vendimin për t’u futur në grevë urie. Më pas ata janë mbledhur para godinës së prokurorisë dhe kanë protestuar për të kërkuar vijimin e hetimeve dhe arrestimin e pronarit të firmës “Alban Tirana”. Edhe pse policia ka ndërhyrë për shpërndarjen e protestuesve, sërish ata kanë qëndruar deri pas mesdite, derisa është realizuar edhe padia e 75 vetave për firmën që ka fituar tenderin për ndërtimin e rrugës.

Firma në fjalë mendohet se nuk ka paguar një shumë prej 1.5 milionë eurosh për nënkontraktorin “Palmir”, por edhe për dhjetë nënkontraktorë të tjerë, që po punojnë në ndërtimin e rrugës Levan-Vlorë. Prej afro tri javësh, punonjësit e firmës “Palmir” janë hedhur në protesta, duke arritur deri në bllokimin e rrugës nacionale Fier-Vlorë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›