Numërimi i votave, KE: Proces i saktë, me garancinë më të lartë
Valentina Madani
KE vlerëson procesin e qetë të 8 majit, demokratik e transparent, si dhe sistemin zgjedhor në Shqipëri, procedurat e të cilit garantojnë që vota e çdo qytetari numërohet me rigorozitet, përmes një procesi të saktë dhe transparent. Ky proces i saktë me garancinë më të lartë, sipas KE-së, vjen falë edhe infrastrukturave moderne e dixhitale. Kryeministri Sali Berisha prit dje drejtoreshën e Drejtorisë së Këshillimit Politik dhe Bashkëpunimit, znj. Claudia Luciani, e cila shoqërohej nga shefi i Zyrës së KE-së në Tiranë, z. Marco Leidekker. Z. Berisha vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me institucionet e KE-së dhe suksesin e një sërë projektesh të përbashkëta të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në luftën kundër korrupsionit me GRECO-n, në fushën e forcimit të mëtejshëm të të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e të dhënave etj. Znj. Luciani i shprehu Kryeministrit vlerësimin për zhvillimin e jashtëzakonshëm dhe shndërrimin mbresëlënës që Shqipëria ka përjetuar gjatë këtyre viteve të fundit. Në takim u ripohua dëshira dhe angazhimi i Shqipërisë dhe i KE-së për të vijuar bashkëpunimin e suksesshëm në shumë fusha si p.sh., atë të luftës kundër korrupsionit, pastrimit të parave, sistemit të vuajtjes së dënimit, por edhe në fusha të tjera, si atë të arsimit apo në fushën e barazisë dhe luftës kundër çdo lloj diskriminimi. Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit, në takim u vlerësua procesi i qetë, demokratik, transparent, si dhe sistemi zgjedhor, i konsoliduar tashmë në Shqipëri, procedurat e të cilit garantojnë që vota e çdo qytetari vlerësohet dhe numërohet me rigorozitet, përmes një procesi të saktë dhe transparent të numërimit të saj, çka e rendit sistemin shqiptar të numërimit në një ndër sistemet me garancinë më të lartë, falë edhe infrastrukturave moderne e dixhitale. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha i uroi shefit të Zyrës së KE-së, në Tiranë, z. Marco Leidekker, suksese ne detyrën e re, i cili nga ana e tij i rikonfirmoi Kryeministrit Berisha angazhimin e tij të plotë për të bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje drejtoreshën e Drejtorisë Politike të Këshillit të Evropës, Claudia Luciani. Duke e falënderuar Kryetaren e Kuvendit për bashkëpunimin e vazhdueshëm, znj. Luciani prezantoi shefin e ri të Zyrës së KiE-së, Marco Leidekker. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes Parlamentit dhe Këshillit të Evropës janë gjithnjë e në rritje, gjë që ka sjellë një bashkëpunim shumë të suksesshëm. Biseda u përqendrua veçanërisht në bashkëpunimin në çështje të të drejtave të njeriut, në mbrojtjen e fëmijëve dhe gruas, çështje të cilat janë në themel të veprimtarisë së Këshillit të Evropës, ashtu sikurse edhe të Parlamentit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit e njohu zonjën Luciani me përmirësimet e dukshme të legjislacionit shqiptar lidhur me të drejtat e njeriut, duke veçuar krijimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Kryetarja e Kuvendit e njohu shkurtimisht zonjën Luciani edhe më ecurinë e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje, - tha Topalli, - shqiptarët votuan të lirë e me qytetari. Sikurse me pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje edhe në vijim, shqiptarët po japin sinjale shumë pozitive në këto zgjedhje dhe angazhimi ynë është maksimal, që gjithçka të përmbyllet me sukses për një proces transparent e të ndershëm në tërësinë e standardeve të tij.