Rivaliteti pa fund në Tiranë, Rama nuk e ndjen
Gëzim Saliu
Në një kohë kur rezultatet zyrtarë për Tiranën, që nga koha e hapjes së kutisë së parë e deri dje në mesnatë, flisnin për një rivalitet dhe diferencë tepër të ngushtë midis dy kundërshtarëve që garojnë në këtë garë vendoresh për postin e krybashkiakut të kryeqytetit, lideri opozitës Edi Rama i shpërfilli dje tërësisht ato. Për kandidatin e koalicionit opozitar, rezultatet e paraqitura nga KQZ-ja nuk janë aspak të përputhshme me realitetin dhe shumë prej kutive ,që sipas Ramës dihen që janë për të dhe opozitën në tërësi, duke iu referuar njësisë nr. 5, po bllokohen nga mazhoranca. Diferenca aktuale e votave në kryeqytet është shumë më e madhe se ajo që nxjerr KQZ-ja e Saliut. Ne Tiranën e kemi fituar, thjesht ndjekim me qetësi të gjithë këtë përpjekje të dëshpëruar, njerëzish të dëshpëruar, që kanë dëshmuar tradicionalisht se nuk pajtohen dot me faktin që qytetarët i votojnë kundër, - tha Rama në konferencën për shtyp ku prezantoi edhe fituesin e garës në Shëngjin, Salvador Kacaj. Kreu socialist edhe në këtë dalje publike nuk nguroi të lëshonte akuza të forta ndaj forcave të rendit dhe sidomos ndaj KQZ-së, organe të cilat ai i cilësoi si tërësisht të njëanshme. Po e ndjekim situatën brenda në qendrat e numërimit, e ndjekim situatën rreth qendrave të numërimit, e ndjekim situatën në të gjithë territorin e qytetit, ku të gjitha lëvizjet e ditës dhe të natës, të gjitha orvatjet e kombinuara rëndom edhe me përfaqësues të policisë së shtetit, që për fat të keq në raste të caktuara harrojnë se bluja e uniformës së tyre është bluja e shtetit, nuk është bluja e flamurit të PD-së. Nga ana tjetër dëshiroj që të gjithë ta kuptojmë se në fund të fundit, kjo është ajo që mund të ofrojë ky pushtet si garanti që nuk garanton dot një proces zgjedhor normal, të qetë, të lirë, të ndershëm, me hapësirë për të gjithë dhe mbi të gjitha me garanci e siguri për çdo administrator të këtij procesi, - deklaroi ashpër Rama. Pjesë të kësaj deklarate, lideri opozitës bëri edhe thirrjet ndaj qytetarëve, ku cilësoi se çdo votë e tyre do të numërohet deri në fund , pavarësisht, nënvizoi Rama, se kujt force i përket ajo. Kur flas për çdo votë, flas për çdo votë, qoftë për votat që qytetarët kanë dhënë për kandidatët, qoftë për votat që kanë dhënë për çdo parti, sado të vogël. Porosia jonë këmbëngulëse ndaj të gjithë administratorëve tanë në procesin zgjedhor ka qenë që të respektohet çdo votë, e kujt do qoftë dhe në çfarëdo drejtimi që ajo ka shkuar, sepse tek vota qëndron themeli i bashkëjetesës sonë demokratike e qytetare. Dhe sepse Shqipëria mbarë ka dy vjet që e përjeton se çdo të thotë që ky themel të jetë i paqëndrueshëm për shkak të prekjes së votës, - u shpreh ai. Megjithëse kreu socialist nga njëra anë flet për siguri të mbrojtjes së votës për cilindo qoftë ajo, nga ana tjetër ai akuzon vetë organin kryesor të këtyre zgjedhjeve, KQZ-në, si përkrahëse të mazhorancës. Në të njëjtën kohë, në konferencën e djeshme për shtyp, lideri socialist nuk njohu as ngushtësinë e rezultatit për Bashkinë e Tiranës, i cili vazhdon që nga dita e parë e numërimit, ku sërish ai akuzoi KQZ-në për vonesa në rezultate. Pjesë e akuzave të Ramës dje ishin edhe forcat e rendit, të cilët, sipas tij, nuk po kryejnë detyrën ashtu siç duhet, por në kundërt janë bërë palë me pushtetin. Kur për më shumë se tre ditë vazhdon numërimi në Tiranë për të përzgjedhur kreun e bashkisë së kryeqytetit, gara vazhdon të ketë rivalitet dhe një ngushtësi të madhe midis dy garuesve, rivalitet i cili duket se do të jetë i tillë deri në kutinë e fundit të votave.