E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi i votave në “dorën” e makinerive

Kjo falë teknologjisë që përdoret në shumë vende dhe nëse gjithçka do të shkojë sipas parashikimit, atëherë numërimet dhe rinumërimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të marrin fund. Komisioni i Reformës Zgjedhore miratoi sot me konsensus futjen në Kodin Zgjedhor të ligjit për numërimin elektronik.

Sipas vendimit të marrë sot, lloji i sistemit elektronik të numërimit të votave (SEN), duhet të miratohet nga KQZ-ja me votë të cilësuar 6 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve. Makineritë mund të merren me qira nga kompani private që mund ta ofrojnë këtë shërbim, çka do të sjellë edhe reduktimin e komisionerëve në zgjedhje. Megjithatë, në disa raste kur shfaqen problematika lihen edhe hapësira për numërim manual, pra një e nga një me dorë.

Në vendimin e miratuar sot, përcaktohen edhe kriteret e makinës që do të kryejë numërimin, si garantimi i numërimit të çdo flete, ndarjen fizike të fletëve të vlefshme dhe atyre të pavlefshme, prodhimin e tabelës së rezultatit për çdo QV, ZAZ, ruajtjen e imazhit të skanuar dhe rekordet e vendimmarrjes deri në një vit nga përfundimi i zgjedhjeve. Tashmë mbetet të miratohet edhe një ndryshim tjetër, atë të makinerive për verifikimin e kartave të identitetit, me të cilat do të votohet gjatë zgjedhjeve.

Gjithashtu, në  mbledhjen e sotme u miratua edhe reduktimi i qendrave të votimit ashtu sikurse ishte rënë dakord edhe më parë. Pra, në vitin 2013, do të ketë qendra votimi vetëm në zonat ku ka më shumë se 200 zgjedhës ndryshe nga se ka ndodhur deri më tani. Kështu, në zgjedhjet e ardhshme do të ketë 1200 qendra votimi më pak.  Në të gjithë vendin janë 4883 qendra votimit, ku numri i votuesve nëpër qendra varion nga 20 deri në 2635 zgjedhës. Në ndryshimet e reja përjashtohet edhe mundësia e votimit në banesa private. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-03-30 16:00
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›