E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuri Seferi më 4 korrik përballë Herbie Hide

"Tajsoni shqiptar" Nuri Seferi do të tentojë të bëjë të vetin titullin "WBC International" për peshën kruizer.
Kampioni aktual i botës në versionin GBU do të përballet me ish-kampionin e botës në kategorinë e rëndë, britanikun me prejardhje nigeriane Herbie Hide në një duel që do të zhvillohet në Stamboll të Turqisë më 4 korrik dhe që do të jetë një nga paramecet e duelit për titullin evropian në peshën e rëndë mes Sinan Samil Sam dhe Matt Skelton.
Kundërshtari i Seferit, Herbie Hide (44-4-0, 41 KO) është një emër mjaft i njohur i ringut profesionist. Britaniku 36-vjecar ka qenë kampion bote në kategorinë e rëndë në versionin WBO në vitin e largët 1994, por në mbrojtjen e parë të titullit një vit më vonë ka pësuar humbje me nokaut nga legjenda amerikane Riddick Bowe. Në vitin 1997 rifiton titullin duke mposhtur amerikanin Tony Tucker. Pas dy mbrojtjeve të suksesshme të titullit më 1999 mundet nga ukrainasi Vitali Klitschko me nokaut ne rundin e dytë. Prej kësaj humbje karriera e tij merr tatëpjetën dhe në vitin 2004 ai largohet përkohësisht nga ringu, për tu rikthyer në vitin 2006. Kësaj radhe për të garuar në kategorinë kruizer.
Tetë fitore radhazi në këtë kategori e kanë bërë atë përsëri të jetë ndër emrat e respektuar të ringut profesionist.
Nuri Seferi nuk është një i panjohur për Hide pasi të dy boksierët kanë bërë sëbashku sparing në prill të vitit 2007. Madje me këtë rast Hide në fillim ishte shprehur pa shumë respekt për Nuriun.. "Ky shkurtabiq nuk është më i rëndë se 60 kilogramë. Nuk mendoni seriozisht që të bëj sparing me këtë", kishte thënë Hide, por me tu ngjitur në ring gjërat kishin ndryshuar. Seferi e vë në vështirësi të madhe britanikun duke e ngujuar në këndin e tij me goditje të forta.
Kjo do të jetë padyshim ndeshja më e rëndësishme e karrierës për "Tajsonin shqiptar" dhe në rast fitore ai përfundimisht do të futet në mesin e emrave të mëdhenj të kategorisë kruizer dhe mundësia për një luftë për titullin botëror në një nga federatat e mëdha do të jetë më e madhe.
Nga ana e tij Nuri Seferi do të bëjë përgatitje speciale për këtë duel. "Boxalb.com" ka mësuar se sparing partner i Nuriut për përgatitjet për këtë duel do të jetë kampioni i botës në peshën kruizer, turku Firat Arslan, ndërsa në ndihmë të Nuriut do të jetë edhe Luan Krasniqi. Një fazë përgatitore prej kampionësh për atë që shpresojmë të jetë së shpejti një kampion i madh shqiptar.

www.boxalb.com

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›