E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërpi ishte Kanabis, arrestohet kreu i shoqatës së fermerëve



Analizat u kryen në një laborator në Angli

Çështja vazhdonte që tetë vjet më parë

Analizat e bëra në laboratorin anglez i kanë dhënë fund njërës prej historive më të çuditshme në Shkrel të Malësisë së Madhe. Kërpi industrial, të paktën siç pretendohej nga fermerët e zonës e aq më tepër nga kreu i shoqatës “Fermerët e Shkrelit”, Martin Pëllumbi, nuk është absolutisht i tillë, por farë e lëndës narkotike Kanabis sativa. Gjithçka është vërtetuar dy ditë më parë kur autoritetet britanike i kanë kthyer përgjigje policisë së Shkodrës se bëhej fjalë pikërisht për Kanabis, ndërkohë që pas kësaj, në pranga është vënë menjëherë 46-vjeçari Pëllumbi.

Arrestimi i tij është konfirmuar dje nga zëdhënësja e policisë së Lezhës, Fatbardha Çepelja, sipas së cilës, ndalimi i 46-vjeçarit u bë në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës dy ditë më parë, e cila mori ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Sipas Çepeles, si rezultat i një hetimi të gjatë, prokuroria e rrethit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut, bënë të mundur sigurimin e provave të mjaftueshme ligjore, në ngarkim të kryetarit të shoqatës “Fermerët e Shkrelit” për vërtetimin e fajësisë mbi këtë vepër penale.

Ka marrë fund odiseja tetëvjeçare e historisë së kërpit industrial në qytetin e Shkodrës. Ndonëse policia ishte e bindur që në fillim se kishte të bënte me Kanabis sativa, përgjigja laboratorike e ardhur nga Anglia duket se kanë lënë pa fjalë personin që përgjatë kësaj kohe mbronte tezën e kërpit. Sipas të dhënave policore, analizat e kërkuara nga policia treguan se nuk bëhej fjalë për kërp, por për Kanabis sativa dhe që kultivohej në masë nga fermerët e zonës.

Ndërkohë, mësohet se historia në fjalë ka rreth 8 vjet që përsëritet. Në vitin 2000, në kohën kur i arrestuari i djeshëm ishte kryetar komune, policia do të asgjësonte rreth 500 mijë rrënjë Kanabis sativa. Por në atë kohë, fermerët pretendonin se kishin të bënin me kërp, madje në 2005-ën Gjykata e Apelit vendosi rikthimin e dëmit në vlerën 112 mijë dollarëve amerikanë.

Po kështu, në vitin 2005 policia u sekuestroi fermerëve 1 ton nga kjo bimë si dhe arrestoi Martin Pëllumbin dhe katër persona të tjerë. Edhe në këtë rast, disa muaj më vonë ata u lanë të lirë, sepse Instituti i Mjekësisë Ligjore e nxori si kërp industrial. Policia këmbënguli dhe nisi analizat ne Angli dhe dje erdhi përgjigjja se fermerët e Shkrelit kultivonin Kanabis. I gjithë ky kultivim bëhej nën kujdesin e një shoqate bamirëse humanitare, e cila herë pas here ka dalë në mbrojtje të fermerëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›