E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuset VIP, në sfilatën e Geraldina Sposa

Eshtë fillim vere. Eshtë koha e "Geraldina Sposa"-s, e sfilatës që është bërë tashmë një eveniment i pangatërrueshëm me të tjerat e këtij lloji, një ngjarje që ka hyrë që prej pesë vjetësh në axhendën kulturore të metropolit.

Pothuajse në të njëjtën kohë e gjithmonë në të njëjtin vend, tek "Sheraton". Pikërisht këtu do të jetë sot mbrëmja e radhës, e fustaneve të nusërisë. Ashtu siç ka ndodhur çdo vit, edhe këtë here "Geraldina Sposa" sjell një linjë të re për veshjet e nusërisë, të palançuar më parë në Shqipëri. Pushtetin këtë vit e ka koleksioni i stilistes ekstravagante Mariella Gianfrante, nderuar me çmim në "Sposa Italia '07". Sepse zgjedhja nuk është asnjëherë rastësore.
"Geraldina Sposa" në çdo pasarelë propozon tek klienti modelet e reja dhe me tendencë të koleksioneve të ndryshme, dhe dashur pa dashur i imponohet tregut me modelet më "in" të momentit.
***
Drejtuesit e këtij salloni, duke pasur luksin që në pranverën e çdo viti të zgjedhin veshjet e vitit pasardhës (siç funksionon tregu i veshjeve të nusërisë në Evropën Perëndimore), sjellin në sfilatën e majit të "Geraldinës" pikërisht atë që është tendenca e modës së lartë në veshjet e nusërisë. Ato që mbizotërojnë këtë vit në pasarelën e "Geraldina Sposa"-s, janë dantellat gjysmë të pambukta (si dantellat e gjyshes), prerjet elegante deri në vithe, kurse pjesa e poshtme e veshjeve me plot kinda asimetrike, që japin një siluetë tepër femërore, fjongo të mëndafshta të lidhura nën gjoks, në të njëjtën ngjyrë me veshjen, materiale të rrudhura, xhaketina të rafinuara, gurë të shndritshëm ose mat, aksesorë të mëdhenj për të plotësuar modelin e krehjes, këpucë në ngjyra neutrale silver ose gold... Fustanet mbajnë firmat "Elie Saab", "Valentino", "Manuel Mota", si pjesë të koleksioneve të "Pronovias", e cila është lider botëror në veshjet e nusërisë. Bashkë me ta fustanet e "San Patrick" apo "La sposa", të gjitha ekskluzivitete të "Geraldina Sposa"-s në tregun shqiptar.
***
Prej vitesh tashmë kjo sfilatë ka sjellë në pasarelë jo vetëm vajzat e njohura si modele profesioniste siç janë Linda Poda apo Matilda Meçini, që tashmë po bëhet gati për të prezantuar Shqipërinë në "Miss Univers", por edhe personazhe të njohur të cilat e provojnë për herë të parë sfilatën të veshura nga "Geraldina Sposa". Monika Zguro, Jorida Malltezi e Zhaku e kanë provuar më shumë se një herë. Sonila Meço, Hueyda El Saied e Jonida Maliqi e pranuan me të parën ftesën për të qenë mbi pasarelë si nuset e "Geraldinës" dhe do të shpreheshin gjithkund nëpër intervistat e dhënë në ato kohë se kjo ishte eksperienca e tyre më e bukur. Ndërkaq Orinda Huta pas përvojës së një viti më parë do ta provojë edhe këtë vit të jetë modele e "Geraldinës". Ashtu si dhe Xhemi Shehu. Ndërsa "Miss Shqipëria" në fuqi, Irsa Demneri ka rastin të bëjë debutimin e saj të parë si modele e vërtetë në këtë sfilatë. Por do të jetë dhe një tjetër figurë e njohur televizive që do të ngjitet për herë ta parë mbi një pasarelë si modele. Por organizatorët nuk e zbulojnë. Po e ruajnë sekretin edhe për pak orë deri sot në mbrëmje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›