E Diel, 1 Nëntor 2026

Nusja shkon në polici: Më shpëtoni nga vjehrri

TIRANE- Një grua 35-vjeçare ka mbërritur pasditen e dy ditëve më parë në komisariat dhe ka denoncuar dhunën që vjehrri i saj ushtronte sistematikisht ndaj saj. Nënë e një fëmije, gruaja që pas vdekjes së të shoqit jetonte me vjehrrin e saj, ndërsa vjehrri mësohet se disa herë kishte ushtruar dhunë ndërkohë që kishte arritur ta kërcënonte edhe me vrasje, pasi burri mbante në shtëpi edhe armë pa leje.

Pas trokitjes në dyert e policisë, gruaja është mbajtur aty derisa oficerët e komisariatit nr. 6 kanë mbërritur në shtëpinë e Nasip Kodrës, duke e vënë këtë të fundit në pranga. Pastaj kanë kryer edhe kontrollin e banesës duke sekuestruar një sasi fishekësh model 56 po pa mundur të gjejnë armë zjarri.

Referuar të dhënave të policisë që vijnë për këtë ngjarje të rëndë bëhet me dije se i prangosuri i tyre ishte një njeri që konsumonte herë pas here pije alkoolike dhe më pas shkonte në shtëpi dhe ushtronte dhunë mbi nusen e mbetur të ve të djalit të tij.

Familja Kodra mësohet se jeton në zonën e Kasharit dhe para shumë vitesh janë vendosur aty pasi kanë ardhur nga zonat e Dibrës. Gruaja që denoncoi vjehrrin e saj mësohet se jeton e ve prej pak vitesh dhe se është nënë e një fëmije. Burimet e policisë sqarojnë se konfliktet në shtëpi kanë nisur prej kohësh, por që më shumë kanë të bëjnë me alkoolizimet e vjehrrit, ndërsa tashmë ai do të mbahet pas hekurave derisa gjykata të vendos mbi fatin e tij ditën e nesërme. Sipas policisë janë marrë të gjitha masat mbrojtëse për gruan, nënë e një fëmijë, ndërsa materialet për 64-vjeçarin Kodra i kanë kaluar prokurorisë. Një tjetër sherr në familje është shënuar në Kodër-Kamëz, ku një 24-vjeçar pas konflikteve me nusen e tij ka therur me thikë vëllain e saj i cili është gjendur aty për të ndërmjetësuar mes çiftit.
(g.sh/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›