Nuxhënt: “Shqipëria, shansi im”

- Sulmuesi i Prestonit, Dejvid Nuxhënt, është shprehur për mediat britanike se ai dëshiron ta shfrytëzojë në maksimum shansin e tij në përfaqësuesen angleze (B), në ndeshjen kundër Shqipërisë. Nuxhënt, 22 vjec, bëri një sezon mbresëlënës në Championship (Kategoria e Dytë angleze) dhe synon të bindë trajnerin e "Tri luanëve", Stiv Meklaren, për ta thirrur në ndeshjet e Kombëtares A kundër Brazilit dhe Estonisë. "Unë dëshiroj të luaj për Anglinë, ku luajnë lojtarë të nivelit të lartë, gjysma e të cilëve janë kapitenë në ekipet e tyre", - thotë Nuxhënt për faqen zyrtare të Federatës Angleze. Nuxhënt shënoi gol në debutim e tij me Anglinë kundër Andorrës gjatë muajit mars. Trajneri i Anglisë (B), Stiv Meklaren, thirri dy portierë të rinj: Robert Grin dhe Skot Karson për ndeshjen kundër Shqipërisë, takim i programuar për ditën e premte, më 25 maj në Bërnlej. Vendimi u mor pasi portieri i Mancester Junaitid, Ben Forster, u tërhoq për shkak të një dëmtimi në gju, duke e lënë bosin e "luanëve" me vetëm një opsion zgjedhje, Pol Robinson. Ndeshja e fundit e Anglisë B ishte ajo me Bjellorusinë (humbi 2-1) në stadiumin "Madejski Stadium" në Reading. Takimi u zhvillua 12 muaj më parë (më 25 maj 2006), kur Anglia, atëherë e drejtuar nga Sven Goran Erikson, përgatitej për finalet e Kampionatit Botëror të Gjermanisë. Bjellorusia është një nga ekipet që bën pjesë në grupin tonë eliminator për Euro 2008. Shqipëria barazoi me Bjellorusinë në Minsk 2-2.
BILETAT
Vetëm disa qindra bileta nga kapaciteti maksimal i stadiumit (22619 vende të ulura) kanë mbetur ende pa u shitur për ndeshjen miqësore ndërkombëtare në "Turf Moor". Sipas gazetës lokale "Burnley Express", organizatorët kanë shprehur besimin se stadiumi do të jetë ezauruar plotësisht pak orë përpara fillimit të takimit (20:55, me orën shqiptare). Bileta më e shtrenjtë kushton 15 euro, ndërsa më e lira 5 euro.
ANGLIA B
Anglia "B" është një krijim i trajnerit Uolltër Uinterbotëm në vitin 1949. Misioni i saj është fitimi i eksperiencës së lojtarëve. Anglia fitoi ndeshjen e parë me Finlandën 4-0. Në listën e kundërshtarëve të Anglisë B janë ekipet të tilla si Holanda, Italia, Gjermania, Skocia, Shtetet e Bashkuara etj. Anglia "B" ka zhvilluar 54 ndeshje ndërkombëtare, duke pasur këtë bilanc: 37 fitore, 8 barazime dhe 9 humbje.