E Shtunë, 31 Tetor 2026

Venger, “bileta” VIP e Angli B - Shqipëri

- Kombëtarja shqiptare vazhdon të stërvitet me intensitet në Bllekbërn të Anglisë (dje zhvilloi dy seanca), për ndeshjen e parë miqësore me skuadrën e "Tri luanëve" dhe të tretën e "erës" Baric, pas atyre me San Marinon të fituar 3-0, më 22 gusht të vitit 2006 dhe Maqedoninë, më 7 shkurt 2007 të humbur 1-0 në Shkodër.
Ekipi shqiptar tashmë është i kompletuar dhe me grupin e lojtarëve dje u bashkua edhe sulmuesi i Hamburgut, Besart Berisha, ndërsa sot pritet ardhja e mesfushorit të Panserraikos, Edvin Murati, i cili luajti dje me ekipin e tij të Kategorisë së Dytë greke. Murati pritet të luajë kundër Anglisë B vetëm një pjesë loje.
Trajneri më i moshuar i një përfaqësuese në botë, 74-vjecari Baric (më 19 qershor mbush 75-vjec) e konsideron ndeshjen miqësore me Anglinë (B) si një mundësi të mirë për të testuar vlerat e veteranëve të rikthyer Ervin Skela dhe Edvin Murati, por dhe të rikonsiderojë mundësinë e një thirrjeje tjetër të të rinjve Blerim Rrustemaj, Kristi Vangjeli dhe Jahmir Hyka për ndeshjet e dyfishta zyrtare me Luksemburgun, ku ajo e Tiranës (2 qershor), do të zhvillohet në impiantin e "Qemal Stafës".
Interesimi i bosëve të klubeve më të mëdha angleze dhe i menaxherëve të futbollit është i madh për ndeshjen miqësore ndërkombëtare Angli B-Shqipëri, ku spikat midis të tjerëve emri i trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger, i cili do të ndjekë sulmuesin e Njukasëllit, Majkëll Ouen. Zëvendëskapiteni Lorik Cana, me pamundësinë e tij për t'u përfshirë në "20 kuqezinjtë" anti-Angli, duket se ka humbur një shans për t'u ndjekur "live" në "Turf Moor" nga trajneri i Arsenalit, i cili edhe më parë ka shprehur interesimin për të bërë të vetin mesfushorin shqiptar.
Në Bërnlej, ditën e ndeshjes do të jetë edhe menaxheri i njohur shqiptar, Rudi Vata, i cili jeton në Edinburg të Skocisë. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të viteve 1990-2000 ka nën vëzhgim disa lojtarë të rinj të përfaqësueses dhe sipas tij, për disa prej tyre po punon me bashkëpunëtorët e tij. Për sulmuesin e Karslruhes, Edmond Kapllani ka pasur më parë disa oferta nga klube angleze. Ndeshja miqësore është organizuar nga kompania "Sport Five", e cila drejton edhe të drejtën e transmetimit televiziv të dy skuadrave. Federata Angleze pagoi të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit të Kombëtares shqiptare (90 mijë dollarë).

BARIC - ZHEGA

Së bashku me trajnerin kroat, Oto Baric, në Angli ndodhet edhe ish-trajneri kuqezinjve, Medin Zhega (aktualisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së), i cili ka drejtuar Shqipërinë në dy ndeshje (të humbura) me Anglinë. Trajneri i njohur shkodran është njohës perfekt i gjuhës gjermane dhe ndoshta në bisedat e lira me Baricin, edhe ky një gjermanishtfolës, mund t'i ofrojë kroatit edhe refleksionet e tij në lidhje me ndeshjet me Anglinë, edhe pse ato kanë të bëjnë me vitin 2001. Në ato ndeshje për Zhegën kanë luajtur pesë lojtarë të Kombëtares, që bëjnë pjesë sot edhe në listën e Baricit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›