Përfundim i përgjakshëm i Ashureve në Irak
Me miliona shiitë në Irak i janë bashkuar sot ceremonive për të shënuar klimaksin e ritualit solemn të Ashureve, ceremoni kjo e cila mbeti nën hijën e një sulmi me bombë kundër procesionit në afërsi të qytetit të Kirkukut, me ç’rast u vranë katër persona.
Mbi tre milionë njerëz u tubuan në rrugët e qytetit të shenjtë shiit, Karbala, për të marrë pjesë në ritualin qendror, për të kujtuar vrasjen e Imamit Hussein në vitin 680, nga armatat e kalifit sunit, Yazidit, ka deklaruar zëvendësguvernatori i Karbalasë, Naseef Jassim.
“Pelegrinët janë tubuar në rrugët e pjesës së vjetër të Karbalasë, për t’u përgatitur për pjesën përfundimtare të ceremonive”, tha Jassim, duke shtuar se në mesin e tre milionë pelegrinëve kishte edhe 105 mijë besimtarë nga shtetet tjera.
Ai shtoi se mbi 6 milionë njerëz kanë kaluar nëpër rrugët e Karbalasë, gjatë ritualëve dhjetëditore të Ashureve, dita më e shenjtë në kalendarin religjioz të shiitëve.
Procesioni në Karbala gjatë ditës së sotme ishte relativisht i qetë, por një bombë qëlloi besimtarët shiitë në afërsi të qytetit të Kirkukut, me ç’rast u vranë katër persona dhe u plagosën 19 të tjerë.