E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNICEF: 600 mijë serbë vuajnë për bukë

Më shumë se 600 000 serbë jetojnë aktualisht nën nivelin e varfërisë që nënkupton gjendjen e urisë, ndërsa afro 150 000 fëmijë në këtë vend jetojnë në kuptimin e plotë të fjalës në kushte urie të vazhdueshme, shkruante këto ditë gazeta e përditshme serbe "Kurir", duke iu referuar një raporti të publikuar së fundmi nga ana e Organizatës së Fondit për Fëmijët të Kombeve të Bashkuara (UNICEF). Sipas kësaj të fundit, më të kërcënuarit janë ata me moshë 65 vjeç e sipër dhe fëmijët deri në 14 vjeç, si dhe se nga numri i përgjithshëm (600 000) i serbëve të kërcënuar nga ana sociale vetëm rreth 150 000 veta marrin rregullisht një lloj ndihme sociale. Ministri i Punës dhe i Politikës Sociale të Serbisë, Rasim Ljajiç, nga ana e tij, i cituar nga gazeta e mësipërme, duke plotësuar raportin e lartpërmendur të UNICEF-it, publikoi një shifër alarmante tjetër se në Serbi numri i njerëzve që jetojnë nën nivelin e varfërisë këtë vit është rritur me 60 000, madje edhe me 80 000 veta. Dhe kështu, vë në dukje "Kuriri", shumë shpejt numri i atyre që jetojnë në kushte urie në Serbi do të arrijë shifrën 1 milion!
Alarmin dhe shqetësimin e tyre përkatës shprehën pas publikimit të raportit në fjalë të UNICEF-it edhe analistë dhe ekspertë ekonomistë serbë, të cilët fajin kryesor për situatën e krijuar lidhur me varfërimin e vazhdueshëm të masave popullore në Serbi ia ngarkojnë shtetit dhe qeverisë që, sipas tyre, janë të paaftë dhe nuk janë në gjendje të ushqejnë popullin e vet. "Në Serbi me politikë merren njerëz pa moral dhe pa asnjë përvoje e dijenie, njerëz që kanë urrejtje kundrejt popullit të vet dhe kanë synime të këqija kundër shtetit të vet. Pyes veten se edhe sa kohë do t‘i durojnë ata njerëzit në vendin tonë", citonte gazeta "Kurir" ekonomistin serb Branko Dragash, që gjithashtu vuri në dukje se në këto kushte atë nuk e kishin befasuar shifrat e paraqitura në raportin e UNICEF-it. Profesori universitar i ekonomisë, Daniel Cvjetiçanin, gjithashtu i cituar nga gazeta e mësipërme, nga ana e tij, theksoi se "situata është drastike, ndërkohë që niveli i Serbisë duhej të ishte diku pranë atij të Greqisë, Spanjës, Portugalisë, d.m.th. pranë atij të ekonomive evropiane të tregut, ku ajo dikur e ka pasur vendin, kurse sot ajo është në nivelin e republikave banane latinoamerikane". Sipas tij, gjatë 10 vjetëve të fundit, ata që janë në krye të vendit nuk kanë arritur të krijojnë mjedisin e duhur për zhvillimin e ekonomisë, por vetëm mbajnë përgjegjësi për ndërhyrjet e tmerrshme në ekonomi dhe për kufizimin e lirive ekonomike. Pasoja të varfërisë janë jo vetëm kur dikush vdes nga mungesa e ushqimit, por edhe kur njerëzit vriten për shkak të pasojave të privatizimeve, kur shiten fëmijë dhe vajzat e reja janë të detyruara të prostituojnë", thekson profesori Cvjetiçanin.
Aleksandar Zhivkoviç, kryetar i komunës Bella Pallanka, që konsiderohet si komuna më e varfër në Serbi dhe për të cilën në këtë vend thuhet se atje njerëzit "vdesin nga uria", i tha gazetës serbe së lartpërmendur se, "ç‘është e vërteta, akoma nuk po vdesim nga uria, po jeta është shumë e vështirë. Por, në rast se nuk prodhojmë asgjë, nëse shteti nuk merr masa, edhe kjo do të ndodhë!", thotë ai, duke shtuar se më shumë sesa 3 000 veta, përfshi familje të tëra, janë krejtësisht pa punë në këtë komunë.

M.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›