Universitetet, dy kriteret që të bëjnë fitues në raundin III
Autori i Lajmit: Silvana BalliuPërzgjedhja e kandidatëve fitues në fazën e tretë të regjistrimeve do të bëhet në bazë të dy kritereve. Parimit të meritës dhe atij të vullnetit.
Do të jetë pikërisht Qendra e Përpunimit të Informacionit që do të përzgjedhë fituesit e për rreth 4 mijë vendeve vakante në të 11 universitetet e vendit. Lista e fituesve të plotë do të afishohet jo vetëm në gjimnazet përkatëse, por edhe në të gjitha fakultetet. Edhe pse pjesa më e madhe e maturantëve kanë dalë të zhgënjyer nga faza e tretë e regjistrimeve, për shkak të degëve të mbetura, një pjesë kanë preferuar ta provojnë dhe njëherë.
Vendet bosh
Ministria e Arsimit deklaroi se janë 4 mijë vende bosh në universitetet e vendit, ku nxënësit me mesatare të lartë mund të fitojnë një të drejtë studimi. Nxënësit pasi kanë tërhequr formularin janë shprehur se degët e shpallura të lira janë pa interes jo vetëm për ta, por edhe për tregun e punës. Sipas këtij formulari, nxënësit mund të fitojnë një të drejtë studimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në degët agrobiznes, hortikulture dhe inxhinieri agronomike. Në universitet e rretheve janë të lira vetëm degët në shkencat ekzakte, si matematikë fizikë, inxhinieri navale, apo menaxhim transporti.
Dy kriteret
Kryesore mes dy parimeve që përzgjedhin fituesit duket të jetë parimi i meritës. Ku kandidatit për student i merren parasysh pikët e grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore, disa programe studimi dhe të rezultateve të konkursit të zhvilluar në bazë të udhëzimit Nr. 21, datë 16.08.2007 “Për zhvillimin e konkurseve të pranimit, tarifën e regjistrimit për konkurrim në disa programe të ndryshme studimi në ciklin e parë me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2007-2008”. Ndërkohë që parimi i dytë, ai i vullnetit, është i shprehur nëpërmjet preferencës më të lartë të zgjedhur prej kandidatëve në formularin A2.
Box anash
Të dhënat
Dokumentet e nevojshme për regjistrim
Dëftesë pjekurie
Dokument identifikimi dhe fotokopje të tij
2 fotografi
Një mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë
Kandidati fitues duhet të paraqitet personalisht pranë
sekretarive dhe të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007