E Diel, 1 Nëntor 2026

Çadra e Blushit, policia e Rendit sherr me bashkinë

15/06/2005  Damo: Kandidati i PS-sëka vendosur kabinën elektorale në kundërshtim me ligjin

Situata elektorale është tensionuar dje në qytetin e Korçës pas ndërhyrjes së Policisë Bashkiake për të larguar nga lulishtja e qytetit një çadër elektorale, të ngritur nga shtabi elektoral i kandidatit socialist, Ben Blushi. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Robert Damo, tha për “Metropol” se çadra elektorale, e ngritur nga shtabi elektoral i Blushit, është pa leje, dhe si e tillë duhet të largohet nga ambientet publike të qytetit. Në ndihmë të Policisë Bashkiake janë thirrur edhe forcat e rendit, por, sipas Damos, ato nuk kanë ndërhyrë.

Damo

Ngjarja ka ndodhur dje në mëngjes, kur në lulishten “Rinia”, të qytetit të Korçës, është vënë re çadra elektorale, e ngritur nga stafi i kandidatit Blushi. Sipas kreut të Bashkisë së Korçës, çadra elektorale është ngritur pa marrë lejen e Bashkisë, duke pohuar njëkohësisht se ka pasur përplasje mes policisë bashkiake dhe anëtarëve të stafit elektoral të Blushit. "Në bazë të ligjit, i kam dërguar policinë bashkiake për ta larguar, por hasën në qëndresën e Gaqo Blushit, drejtor i nënstacionit elektrik të Zemblakut, njëkohësisht dhe xhaxhai i Ben Blushit, Petrika Blushit, edhe ky i afërm i ministrit, dhëndrri i Gaqo Blushit, Gentjan Rushi punonjës në policinë elektrike si dhe Ervin Kajos, drejtor drejtorie në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit. Të gjithë këta persona dhe militantë të tjerë kanë sharë me fjalë punonjësin e rajonit, si dhe policinë bashkiake që shkuan për të bllokuar këtë shkelje të ligjit dhe jo vetëm kaq, por kanë përdorur kërcënime të tilla si, “Do ta shihni se ç'do ju punojmë”, “Ne kemi qeverinë në krah” etj.”, tha Damo. Sipas tij, ardhja e policisë së rendit nuk ka sjellë asgjë të re në shuarjen e tensionit. “Për këtë qëllim njoftuam edhe policinë e rendit, e cila erdhi me një furgon, por qëndroi indiferente ndaj konfliktit. Jo vetëm kaq, por më pas ajo u vu në ruajtje të çadrës elektorale të Blushit”, tha Damo. Kreu i bashkisë së Korçës tha se i ka bërë një kërkesë policisë së rendit për të ndihmuar forcat e policisë bashkiake për të larguar nga lulishtja çadrën elektorale të kandidatit të PS-së. “Sido që të jetë qëndrimi i policisë, ne do të operojmë si pushtet vendor, konform rregullave në fuqi, për të mos lejuar që të uzurpohen ambientet publike”, tha Damo.

Blushi

Ndërkohë ministri i Pushetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushi, njëkohësisht dhe kandidat në zonën 80, të Korçës, i kontaktuar nga "Metropol", është përgjigjur se nuk ka dijeni për incidentin e ndodhur ditën e djeshme, duke mos pranuar të bëjë komente të mëtejshme. Për të njëjtën çështje ka reaguar dje dhe kandidati i PD-së në këtë zonë Gjergji Pendavinji, i cili ka akuzuar rivalin e tij se po nxit konflikte të panevojshme dhe të rrezikshme. Sipas tij, situata e krijuar mund të degjenerojë në dhunë mes militantëve nga momenti në moment. “Ne po mundohemi të mos lejojmë që situata të degradoj në një përplasje mes policisë bashkiake dhe policisë së rendit. Po ruhemi që të mos ketë përplasje mes militantëve, pasi Blushi ka vënë përreth çadrës policë të rendit dhe militantë, për të mos lejuar autoritetet vendore ta largojnë atë. Fushata po tensionohet çdo ditë e më shumë dhe kam frikën e ndonjë përplasjeje mes militantëve”, tha Pendavinji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›